Kosova në OKB, Vuçiç: Ne kemi politikën tonë dhe pse respektojmë SHBA

509
Kryeministri i Kosovës, Aleksandër Vuçiç, i është përgjigjur në mënyrë të moderuar deklaratave të ambasadorit amerikan Michael Kirby, se Kosova duhet të anëtarësohet në OKB.
Kreu i qeverisë serbe u shpreh sot para mediave vendase se Serbia ka politikën e saj dhe nuk do të tërhiqet prej saj.
Aleksandër Vuçiç: “Gjithçka çfarë mund të them këtë mëngjes është se për ne si vend i vogël nuk është aspak e lehtë për t’iu përgjigjur asaj se çfarë ka thënë Kirby. Mund të them që Serbia ka politikën e vet. Ne respektojmë politikën e Shteteve të Bashkuara, ata janë superfuqia e botës, por ne kemi një politikë dhe do të qëndrojmë në politikën tonë”.
Vuçiç tha ndër të tjera se qëndrimi i Kirby-t nuk është një lajm i madh, kur dihet se Shtetet e Bashkuara e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që në vitin 2008.
Ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan reagoi edhe Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Ivica Daçiç: “Serbia, natyrisht, nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare sepse për ne kjo do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”.
Në një deklaratë për mediat, kreu i diplomacisë serbe tha ndër të tjera se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është “neutral ndaj statusit” dhe kujtoi se SHBA-ja dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme për pavarësinë e Kosovës.
Ivica Daçiç: “Siç tha edhe vetë ambasadori, në lidhje me këtë çështje ka dallime edhe në qëndrimet e SHBA-së dhe Bashkimit Europian, pasi siç dihet pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës. Serbia nuk do ta ndryshojë rrugën e saj parimore, me përkushtim të plotë ndaj dialogut si e vetmja rrugë për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura”.
Sigal