Kosova miraton në parim projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e pensioneve

39
Sigal

Parlamenti i Kosovës e miratoi të enjten në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pensionet, që pritet të zgjidhë çështjen e atyre që janë larguar nga vendet e punës gjatë viteve të 90-ta nga administrata serbe.

Me ligjin aktual parashihet që të drejtën e përfitimit të pensionit kontributpagues ta kenë vetëm ata që dëshmojnë se kanë kontribuar për 15 vjet e më shumë në ish Fondin Pensional të Kosovës. Me ligjin e ri pritet të përfshihen qytetarët që janë larguar nga puna dhe nuk kanë arritur të mbushin 15 vjet përvojë pune.

Ndryshimi i ligjit pasoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të një viti më parë, e cila shfuqizoi një nen të Ligjit për skemat pensionale, me arsyetimin “se pa të drejtë iu mohoi mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontributpagues”.

Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj detyroi qeverinë dhe parlamentin që të ndryshojnë ligjin për skemat pensionale deri më 15 korrik të këtij viti.

Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, tha se ndryshimi i projektligjit e rregullon përgjithmonë çështjen e pensioneve kontributpaguese.

“Dhe e heq këtë diskriminim dhe padrejtësi që u është bërë shumë prej personave të cilët janë larguar dhunshëm dhe për shkak që janë larguar dhunshëm në fillim të viteve 90-ta nuk kanë arritur që të plotësojnë kushtin prej 15 vitesh”, tha ai.

Ministri Murati tha se lartësia e pensionit do të përcaktohet bazuar në vitet që pensionistët kanë kontribuar në Fondin Pensional, ndërsa pritet t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit.

Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, tha për Zërin e Amerikës se shoqata e tyre nuk është këshilluar për ndryshimin e ligjit që sipas tij nuk përmbushë pritjet e pensionistëve.

“Ne kemi kërkuar që të jemi të përfshirë në grupet punuese gjatë hartimit të këtij projektligji por nuk na kanë përfillë dhe tani nuk po i respektojnë as afatet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese. Nuk e kanë respektu ligjin aktual sepse kanë shkelur nenin 40 të ligjit aktual sepse nuk e kanë bërë vlerësimin e inflacionit kurrë dhe nuk e kanë deklaruar mundësinë e kompensimit apo rritjes së pensioneve që e kanë obligim me këtë nen”, tha ai.

Ai tha se në Kosovë numri i pensionistëve sillet nga 180 mijë deri në 200 mijë ndërsa prej tyre rreth 70 mijë janë pensionistë kontributpagues që tashmë u njihet kontributi para viteve të 90-ta.

Pensionistët thonë se kanë nevojë për rritjen e pensioneve për shkak të ngritjes së çmimeve gjatë periudhës së inflacionit.

“Sa i përket pensionit, mos me i punu do sende dhe falë mbështetjes së djemëve, as tatim, as energjinë elektrike dhe as te mjeku nuk dalin”, tha pensionisti Riza Krasniqi.

“Pensionet kanë nevojë pak të rriten sepse e tërë kjo pasuri, ky zhvillim, ky ndërtim e kanë bërë këta pensionistët që i kemi këtu, duhet të jenë pak më të privilegjuar, rrogat duhet t’u rriten pak më shumë”, tha pensionisti Izet Dushi.

Pensionet në Kosovë sillen nga 100 e deri në 265 euro varësisht nga kontributi në fondin pensional që kishte Kosova, i cili është tërhequr nga administrata serbe në përfundim të luftës./VOA