Koronavirusi, Londra siguron 300 dhoma hotelesh për vetizolimin e të pastrehëve

38

Londra do të sigurojë 300 dhoma hotelesh për vetizolimin e të pastrehëve, ka konfirmuar kryetari i Bashkisë Sadiq Khan, teksa Mbretëria e Bashkuar përgatitet të marrë masat për distancim social në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

“Të pastrehët do të përfitojnë nga masat mbrojtëse që janë jetike për ta kundër koronavirusit me mbështetjen e qeverisë britanike, e cila ka siguruar 300 dhoma hotelesh ku ata do të mund të vetizolohen në javët e ardhshme”, thuhej përmes një deklarate për shtyp.

Operacioni për të mbledhur të pastrehët e për t’i dërguar më pas drejt hoteleve ka nisur të premten në mbrëmje dhe do të vazhdojë përgjatë fundjavës.

Dhomat janë rezervuar për 12 javët e ardhshme.

COVID-19 ka vrarë 177 persona në Mbretërinë e Bashkuar, me një numër të lart rastesh në Londër.

“Pandemia po ndikon mbi të gjithë në Londër dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve, veçanërisht të londinezëve që nuk kanë një strehë mbi kokë”, tha kryetari i Bashkisë, Sadiq Khan.

Të pastrehët kanë më shumë probabilitet që të vuajnë nga sëmundje shoqëruese, si probleme me frymëmarrjen të cilat rrisin rrezikun e vdekjes në rast infektimi nga virusi. Për ta është edhe më e vështirë që të vetizolohen dhe të ndjekin rregullat e distancës sociale, të gjejnë strehë dhe të mirëmbajnë higjienën.

Në vitet 2018-2019, Londra  kishte rreth 9 mijë të pastrehë.

Edhe Franca ka marrë masa të ngjashme pasi shpalli hapjen e qendrave të vetizolimit në godinat e pabanuara përgjatë vendit për të pastrehët që janë prekur nga virusi por që nuk kanë nevojë për përkujdesje mjekësore.