Koreja e Veriut, Tillerson: Ndërhyrja ushtarake, opsion në tavolinë

481
Ndërhyrja ushtarake kundër Koresë së Veriut është opsion në tavolinë.
Deklatata e fortë është bërë nga sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut.
Politika e “durimit strategjik” ka përfunduar tha ai, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po eksplorojnë mënyra të tjera diplomatike, ekonomike dhe ato të sigurisë.
Tillerson gjithashtu ka mbrojtur edhe idenë e vendosjes së një sistemi amerikan mbrojtës në Korenë e Jugut, një veprim i cili ka zemëruar shumë Pekinin.
Por Seuli dhe Uashingtoni argumentojnë se sistemi është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër veprimeve të Koresë së Veriut. Tillerson foli menjëherë pas vizitës në një zonë të demilitarizuar që ndan dy Koretë.
Ai mbërriti në Korenë e Jugut pas një vizite në Japoni, ku tha se 20 vjet përpjekje për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga ambiciet e saj bërthamore kanë dështuar. Të shtunën Tillerson do të niset drejt kinës, ku sërish në fokus do të jetë Koreja e Veriut dhe përpjekjet e saj bërthamore.
SHBA akuzojnë Kinën, aleatin kryesor të Koresë së Veriut, se nuk ka bërë mjaft për të frenuar ambiciet bërthamore te Phenianit.
Por Pekini mbetet i kujdesshëm për çdo veprim që mund të destabiziojë regjimin e Koresë së Veriut dhe për pasojë të krijojë kaos në kufirin e saj. Në ditët e fundit ka pasur raportime të shumta për hakmarrje të dukshme ekonomike ose sanksione nga Pekini kundrejt Koresë së Jugut.
Sigal