Kongresi shqyrton autorizimin e forcës ushtarake amerikane

525
Zyrtarë të lartë të administratës Trump thonë se nuk është ligjërisht e nevojshme të kërkohet një autorizim i ri për të luftuar në operacione kundër grupeve terroriste në mbarë botën. Ndërsa Kongresi po shqyrton mundësinë e hartimit të një autorizimi të ri, republikanët dhe demokratët bien dakort se autorizimi i dhënë 16 vite më parë nuk është më i përshtatshëm për luftën që po zhvillohet aktualisht kundër terrorizmit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, dhe Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, i tha Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se autorizimi aktual nuk duhet të anulohet, edhe nëse Kongresi miraton një autorizim të ri për përdorimin e forcës ushtarake ndaj Shtetit Islamik.
“Lufta është në thelb e paparashikueshme. Nuk mundemi të paracaktojmë një periudhë kohore për një konflikt me një armik që përshtatet vazhdimisht dhe që shpreson se do të na humbasë vullneti për të luftuar deri në fund. Jemi në të vërtetë në epokën e përleshjeve të shpeshta dhe kemi më shumë shanse t’i japim fund më herët, nëse nuk i tregojmë kundërshtarit ditën se kur planifikojmë të ndalojmë së luftuari”, tha Sekretari Mattis.
Sekretari Tillerson shtoi se Kongresi nuk duhet t’i kufizojë gjeografikisht kufizimet për luftërat e ardhshme, pasi lufta ndaj terrorizmit mund të zhvendoset me shpejtësi nga një kontinent në tjetrin.
Seanca dëgjimore po zhvillohet ndërsa Kongresi ka kërkuar hartimin e një autorizimi të ri për përdorimin e forcës ushtarake.
Si republikanët, ashtu edhe demokratët u shprehën se autorizimi i hartuar 16 vite më parë nuk i përshtatet luftës së tanishme kundër terrorizmit.
Sigal