Konflikti me Arabinë Saudite, Irani: Qytetarët mund të bojkotojnë pelegrinazhin e Haxhit

518
Në një kohë kur marrëdhëniet midis Iranit dhe Arabisë Saudite mbeten të tensionuara, zyrtarë të lartë iranianë kanë komunikuar se qytetarët mund të bojkotojnë edhe pelegrinazhin e përvitshëm të Haxhit.
Fillimisht ka qënë drejtuesi i Organizatës së Pelegrinazhit të Haxhit për Iranin, Saeed Ohadi, e cili është shprehur se aktualisht një gjë e tillë po konsiderohet, por vendimi përfundimtar do të merret nga lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei.
Ndërkohë, edhe deputeti Mohammad Ali Esfanani, ka bërë thirrje që qytetarët t’a bojkotojnë pelegrinazhin, në shenjë proteste ndaj ekzekutimit të klerikut të lartë të myslimanizmit shi’it nga ana e Arabisë Saudite.
Në rast se propozimi për të mos shkuar në ritin e përvitshëm të Haxhit do të miratohet nga lideri Ayatollah Ali Khamenei, Arabia Saudite pritet të dalë e humbur edhe nga aspekti ekonomik. Në bazë të një përllogaritjeje, besimtarët iranianë i sjellin Arabisë Saudite afro 500 milionë dollarë cdo vit, vetëm gjatë ditëve të qëndrimit për pelegrinazhin e Haxhit. Nëse merren parasysh turistët e të gjithë vitit, atëherë qeveria do të humbasë plot 3 miliardë dollarë.
Sigal