Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin, nismë e Thaçit

515
Me nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është themeluar Komisioni për të vërtetën dhe për pajtim, në mbledhjen e parë të së cilës morën pjesë veç tij, edhe kryeministri Mustafa dhe kryeparlamentari Veseli.
Thaçi tha se armiqësitë që ka shkaktuar lufta janë ende të pranishme dhe dominojnë ende diskursin shoqëror.
“Sivjen bëhen 18 vite, gati dy dekada, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, e 9 vite pavarësi. Është e vërtetë që kemi ecur shumë që nga atëherë. Kosova është ndërtuar. Janë ndërtuar qytetet, fshatrat, shtëpitë tona të shkatërruara. Janë ndërtuar institucionet demokratike dhe ato të sundimit të ligjit. Është themeluar policia, e cila sot konsiderohet si më e mira dhe më e drejta në Ballkan. Në fakt, në shikim të parë, sot në Kosovë thuajse nuk sheh asnjë shenjë që tregon se vetëm dy dekada më parë këtu kishte luftë. Megjithatë, tmerret e luftës dhe dhimbja jonë për humbjet e shkaktuara, për më të dashurit tanë që janë vrarë apo janë zhdukur, nuk janë zhdukur”, u shpreh Thaçi.
Presidenti kosovar shtoi gjithashtu se qytetarët e Kosovës, sipas të gjitha sondazheve që bëhen, kanë të njëjtat brenga: vendet e reja të punës, standardin ekonomik, një jetë më të mirë për fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre.
“Besoj se pajtoheni, që diçka e rëndësishme ka mbetur pa u prekur në Kosovën e pasluftës. Dhimbja e shkaktuar nga lufta ende rëndon në zemrat dhe mendjet e secilit kosovar. Ndasitë dhe frika që ka shkaktuar lufta janë ende gjallë. Armiqësitë që ka shkaktuar lufta, po ashtu. Gjuha dhe fjalorët që kanë shkaktuar këto armiqësi, që kanë shkaktuar luftën, dominojnë ende diskursin tonë shoqëror. Shoqëria kosovare dhe Ballkani në tërësi është ende peng i këtyre narrativëve të vjetër”, tha Thaçi.
Sipas presidentit, është shumë e dhimbshme të shohësh që sot, edhe gjeneratat që kanë lindur pas lufte e shikojnë palën tjetër, i shikojnë moshatarët e komunitetit tjetër, si armiq dhe si rrezik, e jo si fqinj, si bashkëqytetarë.
Ai tha më tej se pajtimi i parë dhe më i shpejtë shqiptaro-serb ka ndodhur mes familjarëve të të pagjeturve. Por qëllimi është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar, duke pranuar dhe njohur krimet, duke shprehur dhe deklaruar brejtje ndaj së keqes. Ai pranoi se edhe brezat e rinj duhet të dinë çfarë kanë bërë brezat e mëparshëm, fëmijët të mësojnë për prindërit e tyre.
Edhe për kryeministrin Isa Mustafa, Kosova dhe Serbia nuk mund të ndërtojnë një të ardhme, nëse nuk merren dhe nuk e qartësojnë të kaluarën historike, duke shtuar se duhen ndëshkuar ata që kanë bërë krime.
“Krimet e luftës s’do të harrohen dhe natyrisht që do të merremi me to. Duke u ballafaquar guximshëm me të kaluarën tonë, ne fitojmë besimin dhe forcojmë shpresën e qytetarëve tanë për të ndërtuar një të ardhme të sigurtë. E kaluara nuk mund të na pengojë në ndërtimin e së ardhmes, nëse ndjekim dhe ndëshkojmë ata që kanë bërë krime”, ka deklaruar Mustafa.
Kreu i qeverisë ka shtuar se e ardhmja e dy vendeve, pavarësisht asaj që ka ndodhur në të kaluarën, s’duhet të mbetet peng i historisë. “E gjitha kjo do të ndihmojë që ta qartësojmë një të ardhme të përbashkët”, ka deklaruar kryeministri.
Sigal