Komisioni europian/ Nënshkruhet marrëveshja e pestë për vaksinën anti-Covid

62

Komisioni Europian ka nënshkruar të hënën kontratën e pestë me kompaninë gjermane CureVac, për vaksinën kundër Covid-19. Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Komisonit Europian Ursula Von Der Leyen përmes një postimi në Twitter.

“Sot ne nënshkruam kontratën tonë të 5-të të vaksinës, me CureVac”, shkroi shefja e KE-së në llogarinë e saj zyrtare.

Von der Leyen ka deklaruar se deri më tani Komisioni Europian ka siguruar 2 miliardë doza vaksinash. Po ashtu presidentja e KE ka lajmëruar se qytetarët e Europës do të kenë mundësinë t’i marrin këto vaksina menjëherë pasi ato të jenë miratuar si efektive. Po ashtu Von Der Leyen theksoi se shpreson që miratimi i vaksinave të ndodh para fundit të vitit 2020.

“Sot ne nënshkruam kontratën tonë të 5-të të vaksinës, me CureVacRNA. Në përgjithësi ne kemi siguruar gati 2 miliardë doza të vaksinave të ardhshme COVID19. Evropianët do të jenë në gjendje t’i marrin ato, pasi të jenë provuar të jenë të sigurt dhe efektivë – shpresojmë para fundit të vitit”, ka shkruar presidentja e KE.

Komisionerja e Shëndetësisë e BE-së, Stella Kyriakides, përmes një postimi ka shkruar se kjo marrëveshje ka çuar një hap më tej drejt një strategjie të sigurt të daljes nga kriza.

“Një tjetër hap më pranë ofrimit të një strategjie të sigurt dhe të qëndrueshme të daljes nga kriza”, ka shkruar ajo.