Kina zbraz kampet e ushtrisë në kufirin me Indinë

160
Sigal

Kina ka çmontuar dhjetëra struktura dhe ka larguar automjetet për të zbrazur kampe të tëra përgjatë një kufiri të diskutueshëm në Himalaje, ku trupat indiane dhe kineze janë “përballë njëra-tjetrës” që nga prilli i kaluar, sipas imazheve satelitore.

Sipas mediave të huaja, imazhet satelitore të disa zonave në bregun verior të Pangong Tso nga e marta – tregojnë se kampe të shumta ushtarake kineze janë hequr.

Fqinjët, javën e kaluar njoftuan një plan për të tërhequr trupat, tanket dhe pajisjet e tjera nga brigjet e Pangong Tso, një liqen akullnajor në rajonin Ladakh që ishte bërë një pikë e ndezur në mosmarrëveshjen e tyre të zgjatur kufitare.

“Një veprim i ngjashëm po ndodh nga ana jonë gjithashtu”, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters një zyrtar indian në New Delhi.

Ndërkohë ministri i Mbrojtjes i Indisë, Rajnath Singh, i tha Parlamentit se të dy palët kishin rënë dakord të tërhiqnin trupat.

Tensionet filluan të rriteshin përgjatë kufirit në lartësi në prill, kur India akuzoi trupat kineze për ndërhyrje në anën e saj të Linjës së Kontrollit Aktual. Kina e mohoi akuzën, duke thënë se po vepronte në zonën e vet.