Kina reagon ndaj raportit të SHBA:Të ikin nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë

509
Ministria e jashtme kineze ka reaguar me zemërim ndaj raportit të strategjisë kombëtare ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e cilësonte Kinën dhe Rusinë si kërcënimet më të mëdha për SHBA-të.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze duke thenë se SHBA duhet të largohen nga mentaliteti i luftës së ftohtë ka shprehur pakënaqësinë dhe kundërshtinë e palës kineze ndaj raportit të Pentagonit duke i cilësuar si të ekzagjeruara pretendimet amerikane për kërcënimin kinez.
Pentagoni e cilësoi si agresive dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar veprimet e Kinës në detin e Kinës Jugore ku është duke ndërtuar disa ishuj artificialë në ujra në të cilët Filipinet dhe vende të tjera kanë interesat e tyre.
Raportin i publikur ditën e djeshme thoshte se veprimet e Kinës po shkaktojnë tension në rajonin e Azisë dhe Paqësorit. Për çështjen e ishujve ministria e jashtme kineze deklaroi se i ka shpjeguar qëllimet e saj, që sipas tyre, janë plotësisht civile, por vendet fqinje dyshojnë se Kina mund të ndërtojë baza ushtarake në ato ishuj. Përmes detit të Kinës së Jugore kalojnë çdo vit mallra me vlerë 5 trilionë dollarë. 
Sigal