Kim Jong-un-qytetarëve: Hani më pak, të paktën deri në vitin 2025 kur të…

95
Sigal

Lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka paralajmëruar qytetarët se duhet të hanë më pak ushqim deri në vitin 2025, ku është parashikuar të rihapet kufiri me Kinën.

Mungesa e ushqimit po prek tashmë koreano-veriorët, por zyrtarët u thanë qytetarëve që ‘të shtrëngonin rripat’ për të paktën tre vjet të tjerë, sipas RFA.

Megjithatë, njerëzit po ankohen se ata e kanë të vështirë të përballojnë dimrin që po vjen, për të mos folur për 3 vite të tjera, shkruan DailyMail.

Koreja e Veriut mbylli kufirin e saj me Kinën në janar 2020 si një masë paraprake kundër përhapjes së koronavirusit.

Por masa pati një ndikim serioz në ekonominë e vendit, me çmimet e mallrave të përditshme që u rritën ndjeshëm, pasi kërkesa tejkaloi ofertën.

Duke folur për udhëzimin e ri të qeverisë, një banor i qytetit Sinuiju, i cili dëshironte të mbetej anonim, tha se njerëzit janë paralajmëruar se shanset për të rihapur kufirin me Kinën para vitit 2025, ishin të pakta.

‘Situata e ushqimit tani është tashmë një emergjencë, dhe njerëzit po luftojnë me mungesat. Kur autoritetet u thonë atyre se duhet të konsumojnë më pak ushqim deri në vitin 2025… ata nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të ndjejnë dëshpërim të madh’.