KiE dhe OSBE: Me rëndësi reforma në qeverisjen vendore

478
Sigal

Bashkërendimi i punës në çështjet e qeverisjes vendore në Evropën Juglindore ishte në qendër të takimi të përfaqësuesve të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës, të organizuar në 12 dhe 13 maj në Tiranë. Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, tha se, “bashkëpunimi rajonal, jo vetëm mes organizatave tona, por mes vendeve të rajonit, duhet të jetë parësor”. “Bashkëpunimi më i ngushtë rajonal do të mundësonte shkëmbimin e pikëpamjeve, identifikimin e nevojave, boshllëqeve dhe dobësive në rajon dhe do të ndihmonte në përcaktimin e mënyrave se si OSBE-ja, përmes ODIHR-it dhe misioneve në terren, do të mund të punonte së bashku me partnerë kyç si Këshilli i Evropës për t’i ndihmuar më mirë vendet e rajonit”. Sipas tij, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës luajnë role të rëndësishme e plotësuese në forcimin e respektimit të të drejtave të njeriut, lirive themelore, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Drejtuesi i Qendrës së Ekspertizës për Reformën e Qeverisjes Vendore, Daniel Popescu, i cili kryesoi delegacionin e Këshillit të Evropës në takim, theksoi se: “forcimi i cilësisë së qeverisjes në të gjitha nivelet është ndër përparësitë kryesore të të dyja organizatave. Shumica e vendeve europiane kanë ndërmarrë ose po mendojnë të ndërmarrin reforma në qeverisjen vendore. Reforma të tilla zakonisht synojnë përmirësimin e strukturës territoriale vendore dhe rajonale, pjesëmarrjen e qytetarëve, etikën publike dhe efikasitetin e shërbimeve publike. Ka shumë interes në këto fusha në Evropë, shumë eksperimente dhe risi, një burim dijesh ku mund të kontribuosh e të përfitosh”.

OSBE-ja u përfaqësua nga Marcin Ëalecki, shef i Njësisë së Qeverisjes Demokratike dhe të Barazisë Gjinore në Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), si dhe nga përfaqësues të të gjitha misioneve në Evropën juglindore. Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së OSBE-së në Tiranë, disa nga temat e diskutuara ishin praktikat e mira dhe ndarja e përvojës në mbështetjen e qeverisjes vendore; pjesëmarrja politike e grave në nivel vendor, Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore; si dhe zhvillimet e fundit në Acquis të Këshillit të Europës për qeverisjen vendore.