Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton sot raportin për situatën në Kosovë

493
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskuton sot raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për situatën në Kosovë.

Raporti përfshin periudhën kohore 16 tetor – 15 janar dhe mes tjerash, thekson se përkushtimi i Serbisë dhe i Kosovës për përparimin e dialogut është i dobët dhe humbja e momentit rrit rrezikun që në procesin e normalizimit të ketë ngecje.

Në raport thuhet se gjatë kësaj periudhe, tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kanë arritur “nivelin e shqetësimit”, gjë që është treguar në retorikën nxitëse dhe akuzat në lidhje me çështjet dhe ngjarjet kontestuese.

Në raport përmendet edhe ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, më 4 janar, në Francë, në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë. Raporti thotë se ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra të udhëheqësve politikë dhe publikut në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ky është raporti i parë për Kosovën i Sekretarit të ri të OKB-së, Antonio Guterrez, i cili nga 1 janari ka zëvendësuar në këtë detyrë koreano-jugorin Ban Ki-moon.
Sigal