Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, Dunja Mijatovic, i kërkon Shqipërisë që të mbyllë spitalet psikiatrike në vend.

Në raportin e saj publikuar këtë të enjte (13 shtator), Mijatovic kërkon nga autoritetet shqiptare që të hartojnë një plan gjithëpërfshirës për deinstitucionalizimin e personave me prapambetje intelektuale dhe psikosociale dhe të zëvendësojnë spitalet psikiatrike me shërbime komunitare, duke siguruar mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për individët dhe familjet e tyre pasi ata largohen nga institucionet dhe të ndalojnë përfundimisht institucionalizimin e personave me prapambetje mendore.

Ajo thekson se mbrojtja e fëmijëve dhe përfshirja e personave me aftësi të kufizuara është përmirësuar në Shqipëri, por autoritetet ende duhet të adresojnë mangësitë e mbetura.

Komisioneri mbetet e shqetësuar për shkallën e lartë të dhunës që raportohet ende.

Mijatovic thekson se është shqetësues fakti se rreth 700 fëmijë ende jetojnë në institucione të kujdesit, ndonjëherë për periudha shumë të gjata kohore pa ndonjë perspektivë të qartë për t’u larguar prej andej para se të rritet.

Ajo nënvizon se sipas standardeve të Këshillit të Evropës, strehimi i fëmijëve të braktisur nga prindërit në institucione përkujdesjeje është përjashtim nga rregulli, duke i kërkuar qeverisë shqiptare që të përshpejtojë procesin e deinstitucionalizimit, duke i dhënë më shumë mbështetje familjeve për të rritur fëmijët dhe duke krijuar një sistem të ngjashëm me familjen për strehimin e tyre.

Raporti i saj vjen pas vizitës së zhvilluar në Shqipëri më 21 deri më 25 maj 2018, ku u përqendrua tek të drejtat e fëmijëve, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe qasja në ndihmën juridike falas.