“Kemi uri, frigoriferi është bosh, ju lutem na ndihmoni”, telefonata e 12-vjeçares në Itali

289
Sigal

Shtetet që po luftojnë me virusin e egër, kanë detyruar njerëzit të qëndrojë në shtëpi, në divan, të dalin sa më pak, në përpjekje për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Por për një pjesë të caktuar të popullsisë, këto masa janë të kushtueshme shumë. Sidomos nëse ato çojnë në humbjen e punës me të cilën mbanin frymën. Një rast dramatik raportohet në provincën e Bolonjës, nga mediat italiane.

Një vajzë 12-vjeçare ka telefonuar karabinierët e Vergato dhe ka rrëfyer një situatë rrëqethëse në familjen e saj me këto fjalë:

“Ne jemi të uritur, babai im nuk po punon më dhe frigoriferi është bosh, ju lutem na ndihmoni”, shkruan Ansa.

Të prekur thellë nga kjo telefonatë, një grup policësh shkuan në shtëpinë e saj dhe panë se gjendja ishte me të vërtetë shumë e vështirë.

I vetmi që dërgonte para në shtëpi ishte babai i vajzës, por ai kishte humbur punën për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Policët i furnizuan me qumësht, makarona, vezë, miell, mish, biskota, fruta dhe perime.