Katari mohon akuzat e Emirateve të Bashkuara Arabe për kërcënimin e sigurisë ajrore

516
Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil në Katar mohoi të dielën akuzat e lëshuara nga Emiratet e Bashkuara Arabe kundër këtij vendi për kërcënimin e sigurisë dhe integritetit të saj ajror, dhe theksoi se Doha është gjithmonë e angazhuar për të ruajtur sigurinë dhe cilësinë më të lartë të standardeve të aviacionit civil.
Kjo deklaratë (që e publikoi Agjencia e Lajmeve të Katarit “QNA”) erdhi si përgjigje ndaj deklaratës së Autoritetit (qeveritar) të Aviacionit Civil, në të cilën hodhi akuza se disa avionë luftarakë të Katarit përndoqën një avion civil emiratas në hapësirën ajrore të operuar nga Bahreini, duke iu afruar avionit civil në mënyrë të rrezikshme dhe kërcënuese për sigurinë e pasagjerëve.
Nga ana e saj, Doha akuzoi Abu Dhabin për manipulimin e fakteve me qëllim mashtrimin e komunitetit ndërkombëtar, duke vënë në dukje se e vërteta është se avioni ushtarak katarian po fluturonte në drejtim të verilindjes së vendit në një mision që iu bë i njohur shërbimeve të aviacionit në Bahrein, pasi një avion ushtarak i Emirateve hyri në hapësirën katariane pa leje paraprake nga Katari dhe në një linjë të përafërt me vijën që po ndiqte aviacioni civil i Emirateve (e konfirmnuar kjo dhe nga deklarata e Aviacionit Emiratas).
Deklarata (e Katarit) thekson se kjo nuk është hera e parë që Emiratet e Bashkuara Arabe qëllimisht dërgojnë avionë luftarakë në të njëtën kohë me kalimin e avionëve civilë (emiratas) pa marrë leje nga autoritetet përkatëse në shtetin e Katarit, duke shtuar se kjo vjen pavarësisht thirrjeve të përsëritura drejtuar operatorit të shërbimeve ajrore në Bahrein për të koordinuar lëvizjet, gjë që konsiderohet akt i papërgjegjshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini.
Autoriteti i Aviacionit Civil Katarian e konsideroi valën e ankesave të lëshuara nga Autoriteti Emiratas i Aviacionit Civil e shoqëruar kjo edhe me sulme mediatike, se nuk është gjë tjetër veçse përpjekje të dëshpëruara për të tërhequr vëmendjen larg nga shkeljet e shumta të hapësirës ajrore të Katarit nga avionët ushtarakë emiratas që prej fillimit të krizës së Gjirit në Qershor 2017.
Mungesa e Profesionalitetit
Autoriteti Katarian i Aviacionit Civil shprehu gjithashtu shqetësimin dhe dënimin për njëanshmërinë e vazhdueshme të operatorit ajror në Bahrein, çka përbën mungesë profesionalizmi dhe përgjegjësie, ndërkohë që duhej të ishte neutral në shërbimet e tij si përgjegjës për menaxhimin fluturimeve në këtë rajon.
Sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shkëmbyer që nga fillimi i këtij viti, akuza të ndërsjella për shkelje të hapësirës ajrore. Ky përshkallëzim vjen si pasojë e krizës së Gjirit që nisi qershorin e kaluar, ku Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti vendosën një bllokadë ndaj Katarit, duke e akuzuar atë për mbështetje të terrorizmit, akuza të cilat Doha i ka mohuar tërësisht.
Katari ka paraqitur më herët tek Kombet e Bashkuara, ankesa për pesë shkelje ajrore të kryera nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe dy ankesa kundrejt Bahreinit. Ndërsa Abu Dhabi akuzon Dohan për pesë shkelje ajrore, ku kjo e së dielës ishte më e fundit.
Sigal