“Karantina zgjatet deri më 13 prill”, Conte: Në fazën e dytë do të jetë bashkëjetesë me koronavirusin

64

Italia është vendi i parë në botë për numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi, ndërkohë që edhe të infektuarit rriten ditë pas dite.

Kur në rang kombëtar numërohen 80.572 të infektuar nga virusi, 13,155 të vdekur, 16.847 të rikuperuar, 28,403 të shtruar në spital, nga të cilët 4,035 në kujdes intensiv, kryeministri Giussepe Conte ka deklaruar se izolimi për qytetarët do të vijojë deri më 13 prill.

“Ju do të hyni vetëm në fazën 2 kur ekspertët të thonë kështu dhe vetëm duke filluar nga disa sektorë.”- ka thënë kryeministri Conte.

Ndër të tjera ai u shpreh se nëse nisim që tani me spekulimet për çështjen e masave të ashpra e gjithë përpjekja për të zhdukur virusin që është bërë deri më tani është e kotë.

“Nëse spekulojmë tani mbi kufizimet, përpjekjet do të ishin të kota.”

Conte tha gjithashtu se pas Pashkëve nis edhe faza e dytë e emergjencës shëndetësore, ajo e daljes në mënyrë graduale nga masat shtrënguese dhe e bashkëjetesës me Covid-19, ku më pas vijon faza e tretë që është dalja përfundimtare nga situata e vështirë dhe ringritja e shtetit në aspektin ekonomik.

Në rang global mbi 47 mijë njerëz kanë humbur jetën ndërsa 936,204 të tjerë janë të infektuar.

Epiqendra e COVID-19 është Europa, ku tri shtetet më të prekura janë Spanja, Italia dhe Franca. Numri i viktimave në Itali ka shkuar mbi 13 mijë.

Ndërkohë në Spanjë kanë humbur jetën 9,387 persona. Edhe Franca po lufton çdo ditë me COVID-19, por atje virusi po bën ‘kërdinë’, pasi deri më tani kanë humbur jetën 4,032 persona. Virusi është përhapur shumë edhe në Ballkan.

Raste të reja çdo ditë në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Në Shqipëri numri i personave të infektuar ka shkuar në 277, ndërkohë që 16 persona kanë ndërruar jetë.