Ka ende shpresë për samitin mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut

382
Sigal

Presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se ka ende shpresë të zhvillohet takimi që ai më herët anuloi me udhëheqësin koreano-verior. Trump konfirmoi se palët kanë zhvilluar bisedime produktive dhe me gjasa, takimi do të mbahet siç ishte planifikuar, më 12 qershor në Singapor.

Nuk janë shuar ende shpresat për zhvillimin e samitit të shumëpritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Përmes një postimi në Twitter, presidenti Donald Trump tha se Uashingtoni e Peniani kanë zhvilluar “bisedime shumë produktive” dhe se takimi mund të realizohet në 12 qershor në Singapor siç ishte lajmëruar, ose në një tjetër datë nëse do të jetë e nevojshme.

Edhe në një komunikim të mëhershëm me gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump la të kuptohej se samiti ende mund të shpëtohet. “Do të shohim çfarë ndodh, ne jemi duke biseduar me Korenë e Veriut. Të gjithë luajnë lojëra, ju e dini këtë më mirë se të tjerët,” u shpreh presidenti.

Më herët gjatë javës, kreu i Uashingtonit anuloi samitin me Korenë e Veriut, duke cituar si shkak për këtë vendim “armiqësinë e hapur” të treguar nga Peniani kundrejt zyrtarëve amerikanë. Megjithatë, Veriu më vonë u prononcua me tone pajtuese, duke konfirmuar gatishmërinë për të zhvilluar bisedime “në çdo kohë dhe formë”.

Samiti i planifikuar në Singapor do të ishte i pari mes një presidenti amerikan dhe një udhëheqësi koreano-verior. Edhe pse axhenda ishte e paqartë, dy krerët e shteteve pritej të diskutonin çtensionimin e marrëdhënieve mes tyre dhe çarmatimin e gadishullit korean.