Itali – Vrasje e dyfishtë, vëllezërit shqiptarë përfundojnë të vrarë në makinë

464
Sigal

 Dy vëllezër shqiptarë kanë mbetur të vrarë në Itali. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në periferi të Anconas të Italisë, në lagjen Valverde. Bëhet fjalë për Agron dhe Alban Lleshajn, 27 dhe 24 vjeç.

Sipas mediave italiane, personat në fjalë, janë qëlluar në makinë me pistoletë. Po këto burime bëjnë me dije se prishja e pazareve të drogës dhe prostitucionit dyshohet të kenë qenë molla e sherrit, e cila përfundoi në një vrasje dyfishte.

NGJARJA
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:54, ndërsa kanë qenë banorët e Ancona-s ata që kanë njoftuar Ndihmën e Shpejtë se një automjet ishte përmbysur në rrugë, ndërsa brenda ndodheshin dy persona.

Mësohet se rreth orës 23:00 policia italiane ka marrë njoftimin për një akident. Por, sapo mbërriti dhe Ndihma e Shpejtë në vendin e ngjarjes, u vërejt se dy personat në fjalë ishin qëlluar me armë zjarri, ndërsa dyshohet se sulmi u është bërë gjatë kohës që mjeti ishte në ecje.

ATENTATI
Nga hetimet e deritanishme të policisë së Ancona-s, dyshohet se disa persona në një tjetër makinë i kanë bërë atentat dy shqiptarëve, duke i qëlluar me breshëri plumbash. Ndërkohë, viktimave gjatë kontrollit të kryer nuk iu gjetën armë. Dy shqiptarët janë emra të njohur për policinë, pasi kanë pasur një histori të gjatë penale, sidomos për ngjarjet që lidhen me pazaret e drogës.