Itali – Klodjani mes jetës e vdekjes. U qëllua me plumb në kokë nga polici italian

544
Ka mbërritur në spitalin e Maceratës në Itali , babai i shqiptarit Klodjan Hysa 35 vjec i cili qëllua me plumb në kokë nga policia italiane mbrëmjen e së premtes në komunën Monte San Giusto.

I shoqëruar nga e fejuara e të birit, babai i Klodjan Hysa ka identifikuar djalin dhe është informuar nga trupi mjekësor mbi gjëndjen e tij shëndetësore.

Klodjan Hysa ka marrë një plumb në kokë të kalibrit 9 nga një pistoletë tip Beretta.

Gjëndja e tij shëndetësore është mjaft e rëndë e është e pamundur të kryhet ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e plumbit.

35 vjeçari Klodjan Hysa ndodhet në gjëndje kome të thellë e klinikisht i vdekur.

Praktika mjekësore kërkon që çdo 24 orë t’i nënshtrohet një ekzaminimi encefalografik e nëse nuk verifikohet asnjë aktivitet jetësor në trupin e tij, mund të deklarohet vdekja celebrale.

Më pas një komision mjekësor do ta mbajnë nën vëzhgim për 6 orë rresht trupin e shqiptarit e mund të fikin aparatet mjekësore që e mbajnë në jetë.

Sipas policisë italiane Klodjan Hysa ishte pa leje qëndrimi të rregullt në Itali, i papunë e i përfshirë në disa grabitje. Në territorin italian ai kishte përdorur identitete të ndryshme.

Patrulla e policisë italiane e ka qëlluar ndërsa po tentonte të largohej me një automjet të vjedhur tip Fiat Punto, pasi së bashku me dy miq të tiju kishte grabitur një apartament në komunën Monte San Giusto.

Polici italian që e qëlloi me plumb në kokë ka deklaruar se pistoleta është shkrehur pa dashje në momentin që shqiptari po përpiqej ta përplaste me makinë, në tentativën për t’iu shmangur postobllokut të policisë.

Polici italian është vënë nën hetim nga prokuroria italiane.

Nëse deklarohet vdekja e shqiptarit, akuza ndaj punonjësit të policisë mund të jetë vrasja e qëllimshme.
Sigal