Ish-zyrtari i NATO-s paralajmëron: Maqedonia po luan me zjarrin. Hapi tjetër mund të jenë armët

453
Nacionalistët maqedonas po luajnë me zjarrin duke refuzuar të dorëzojnë pushtetin paralajmëron ish-negociatori për paqen gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, Pieter Feith. Duke komentuar zhvillimet e fundit në vend përfshirë dhunën brutale ndaj deputetëve në kuvend, Feith ka theksuar se gjendja e sigurisë është sërish në rrezik, raportojnë mediat lokale.
“Mos e dhëntë Zoti, por hapi i ardhshëm që mund të imagjinoj është të kapen armët si në 2001-shin, e nëse kjo ndodh do të gjendemi shumë shpejt në prag të një lufte civile”, ka thënë Feith në një deklaratë për “Reuters”.
Pieter Feith ishte përfaqësuesi i NATO-s në negociimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund muajve të tërë përplasjesh të armatosura mes forcave maqedonase të sigurisë dhe guerilëve shqiptarë në vitin 2001.
Diplomati holandez gjithashtu ka sugjeruar se Brukseli, jo vetëm që duhet të marrë në konsideratë vendosjen e sanksioneve, si ndalimi i udhëtimit apo masa financiare që të shënjestrojnë drejtpërdrejt udhëheqjen e VMRO-së, por edhe të mendojë bllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë për t’i dhënë fund këtij ngërçi të rrezikshëm.
Ndërkaq diplomati suedez Karl Bild i cili pak kohë më parë vizitoi vendin në përpjekje për të shoshitur mosmarrëveshjet mes palëve ka theksuar se konflikti në Maqedoni nuk është etnik por konflikt për pushtet dhe korrupsion. Megjithatë Bild ka shtuar se frika etnike tani po shfrytëzohet fuqishëm në këtë betejë gjë që është shumë e rrezikshme.
Diplomati holandez Pieter Feith ka shërbyer edhe si i dërguar i BE-së në rajon dhe aktualisht është këshilltar i lartë pranë Institutit Europian të Paqes, i cili mbështet ndërmjetësimin e bllokut dhe përpjekjet për zgjidhje të konflikteve.
Pas sulmit në Parlamentin e Maqedonisë, përmes një deklarate të përbashkët, BE, NATO, SHBA dhe OSBE sqaruan se presin hetim sa më të shpejtë për këto vepra kriminale dhe nxjerrjen e autorëve përpara drejtësisë, ndërsa këmbëngulin që gjykatat të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Sigal