Ish-komandanti i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç dënohet me burgim të përjetshëm

636
Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, e shpalli fajtor dhe e dënoi me burgim të pëjetshëm ish-komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, nën akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ratko Mladiç, ishte akuzuar në vitin 1995 së bashku me udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, por që të dy i ishin shmangur drejtësisë për më shumë se një dekadë.
Ratko Mladiçi u akuzua për vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Masakra u krye në një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Ai ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë civilë.
Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995.
Ratko Mladiç, kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000.
Në maj të vitit 2011 ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që aspiron integrimet evropiane.
Gjyqi kundër tij, u hap në maj të vitit 2012. Gjatë tërë procesit ai ka mohuar akuzat ndërsa mbrojtja e tij kërkoi disa herë që ai të lirohet për t’ju nënshtruar përkujdesjeve mjekësore, por gjykata refuzoi.
Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe procesi kundër Ratko Mladiçit është i fundit para mbylljes së saj.
Ajo ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe u ngrit në mes të luftës së Bosnjës.
Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 83 prej të cilëve janë dënuar. Në mars te vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili u dënua me 40 vjet heqje lirie nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç, u akuzua në vitin 1999 në kohën e luftës së Kosovës dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Në vitin 2006 vdiq derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Sigal