Isa Mustafa flet për herë të parë pas humbjes, ja çfarë premton

466
Ish-kryeministri dhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka folur për herë të parë pas humbjes së kësaj force në zgjedhjet e parlamentare të parakohshme në Kosovë. Përmes profilit të tij në “Facebook”, Mustafa ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, duke premtuar se LDK do të reflektojë në ditët në vijim. Mustafa ka thënë po kështu që fushata e LDK ishte dinjitoze.
“Të nderuar qytetarë, ju e dhatë vendimin tuaj në këto zgjedhje. Mbi të gjitha mbizotëroi zëri i kundërshtimit.

LDK në ditët në vijim do të analizojë dhe vlerësojë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të reflektojmë në interes të anëtarësisë dhe të qytetarëve. Vendimin do ta marrim edhe me deputetët pas certifikimit të rezultateve si dhe me partnerët e koalicionit. Falënderoj të gjithë ata që ia dhanë besimin koalicionit tonë dhe kandidatit për Kryeministër, prof, Avdullah Hotit, i cili bëri një fushatë dinjitoze në të gjitha fushat”, shkruan Mustafa.

Në Kosovë u votua dje për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të tretat me radhë që kur vendi shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008.

Sipas 91,00% të vendvotimeve të procesuara nga KQZ, koalicioni i 13 partive shqiptare – Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe 10 të tjerave ka 34,60% të votave, Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme ka 26,75%, ndërsa koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, ku në listë përfshiheshin edhe kandidatët për deputetë të subjektit politik më të riut drejt regjistrimit si parti – Alternativa e të Lëvizjes për Drejtësi ka 25,81% të votave.
Sigal