Irma bie në kategorinë 4, por mbetet “tejet e rrezikshme”

670
Qendra Kombëtare e Uraganëve njoftoi se Irma “po lëviz përmes pjesës juglindore të Bahamasit si një stuhi jashtëzakonisht e rrezikshme e kategorisë 4″.
Të premten herët në mëngjes, fuqia e stuhisë u ul në 4 prej kategorisë 5. Parashikuesit e motit thonë “se luhatjet në intensitet janë të mundshme gjatë dy ditëve të ardhshme, por Irma do të vazhdojë të mbetet një stuhi e një kategorie të fuqishme”.
Stuhia po lëviz me një shpejtësi erërash prej 250 kilometrash në orë, shpejtësi që mbetet e qëndrueshme.
Sipas Qendrës së Uraganeve pasojat e stuhisë Irma do të ndihen të premten në pjesën veri-perëndimore të Bahamasit dhe të shtunën në pjesën jugore të Floridës.
Kjo qendër ka lëshuar paralajmërime për Floridën e Jugut dhe “Florida Keys”, një varg ishujsh tropikalë që shtrihen rreth 120 milje larg pjesës jugore të shtetit amerikan të Floridës.
Të enjten, më shumë se gjysëm milioni njerëz u urdhëruan të largohen nga Florida e Jugut ndërsa uragani po afrohet.
Guvernatori i Floridës Rick Scott tha se shqetësimi më i madh është mungesa e benzinës. Policia do të shoqërojë kamionët e karburantit drejt Floridës ndërsa ata do të bëjnë dërgesa në stacionet e benzinës.
Zoti Scott tha se premten do të shpërndahen të gjithë 7,000 anëtarët e Gardës Kombëtare të Floridës si dhe mijëra punonjës të energjisë, që do të qëndrojnë në gatshmëri të ndërhyjnë kur është e nevojshme.
Sigal