Irani, Obama siguron votat për të shmangur dështimin

486
Shtëpia e Bardhë është e kënaqur me mbështetjen e 41 senatorëve, të cilët u zotuan se do të votojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Kështu deklaroi zëdhënësi Josh Earnest, duke shtuar se administrata Obama pret rritje të mëtejshme të mbështetjes nga anëtarët e Kongresit.
“Ne sigurisht që presim mbështetje edhe nga anëtarë të tjerë të Kongresit, në mënyrë që të marrim hapat e nevojshëm që Kongresi të mos minojë marrëveshjen bërthamore”, u shpreh ai.
Senatorët demokratë Richard Blumenthal, Gary Peters dhe Ron Wyden njoftuan se do të mbështesin marrëveshjen, e cila sëbashku me mbështetjen e 38 senatorëve të tjerë demokratë dhe të pavarur në dhomën 100-vendëshe, do të jetë e mjaftueshme për të bllokuar një rezolutë të republikanëve kundër miratimit të marrëveshjes mes fuqive botërore dhe Iranit.
Nga ana tjetër kjo i kursen Presidentit amerikan, Barak Obama, përdorimin e vetos ndaj një mocioni mosmiratimi të saj nga Kongresi amerikan.
Për të bllokuar rezolutën, mbështetësit e marrëveshjes duhet të votojnë kundër mocionit proçedurial që i jep fund debatit dhe kërkon mbajtjen e votimit.
Republikanët, të cilët kontrollojnë shumicën në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve kanë denoncuar idenë e përdorimit të kësaj proçedure, duke argumentuar se Senati votoi me shumicë dërrmuese për legjislacionin që lejon votimin e Kongresit mbi rezolutën kundër marrëveshjes. Praktikisht ata kërkojnë që Senati të votojë dhe jo të anashkalojë proçesin me mjete proçedurale.
Kongresi ka kohë deri më 17 shtator për të kaluar rezolutën. Obama deri atëherë ka 12 ditë për të vënë veton dhe Kongresi ka 10 të tjera për të shkelur veton e tij.
Sigal