Irak – Merr hov ofensiva për rikthimin e Mosulit

514
Forcat irakiane thanë se kanë rimarrë 15 fshatra në perëndim të Mosulit, të cilat kanë qenë nën kontrollin e grupit militant Shteti Islamik.

Ofensiva për të çliruar qytetin me rëndësi strategjike, mbështetet me sulme ajrore nga forcat e Shteteve të Bashkuara.

Faza e re e operacionit u shpall të dielën nga kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi.

“Forcat tona kanë nisur çlirimin e qytetarëve nga terrori i Daesh-it”, tha Abadi, duke përdorur akronimin arab për Shtetin Islamik. Ai u bëri thirrje forcave ushtarake që të respektojnë të drejtat e njeriut.

Pjesa lindore e qytetit është çliruar muajin e kaluar, pas luftimeve të rënda.

Ushtarët irakianë avancuan sot drejt aeroportit të Mosulit, porse u përballen me rezistencë të militantëve. Korrespondentët thonë se militantët po përdorin pajisje të mëdha shpërthyese për të ngadalësuar hovin e ushtrisë.

Forcat qeveritare, megjithatë, kanë rimarrë një stacion të energjisë elektrike dhe kanë vrarë disa militantë, përfshirë snajperistë.

Analistët thonë se rikthimi i pjesës perëndimore të Mosulit do të jetë më i vështirë sesa rimarrja e pjesës lindore, për shkak të infrastrukturës, rrugëve të ngushta dhe gjarpërore.

“Mosuli Perëndimdor ka potencial për të qenë më i vështirë, me luftime më të përgjakshme dhe në shkallë më të gjarë”, tha Patrick Skinner, nga grupi konsulent për inteligjencë Soufan.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për civilët e bllokuar në Mosul. Sipas disa raporteve, besohet se numri i tyre arrin në 650,000.

“Situata është shqetësuese. Njerëzit janë në vështrësi. Po dëgjojmë raporte se prindërit luftojnë për të ushqyer fëmijët dhe për të ngrohur shtëpitë”, tha Lise Grande, koordinatore për çështje humanitare e OKB-së.

Ofensiva për rimarrjen e Mosulit ka nisur qysh më 17 tetor, më shumë se dy vjet pasi xhihadistët kanë marrë kontrollin e qytetit.

Sipas shifrave të OKB-së, së paku 1,096 veta janë vrarë gjatë ofensivës dhe shumica prej tyre janë civilë.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar forca tokësore, mbështetje logjistike e të tjera.

“SHBA do të vazhdojë me të njëjtin rol në Mosul”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, për gazetarët në Emiratet e Bashkaura Arabe.
Sigal