Hyjnë në Aleppo autobusët e evakuimit

427
Sigal

Agjencia siriane e lajmeve, SANA, thotë se në Alepon e shkatëruar nga luftimet pritet të fillojë evakuimi i banorëve.

Sot autobusët filluan të hyjnë në zonat e fundit nën kontrollin e rebelëve, për të rifilluar evakuimin e civilëve sirianë dhe të rebelëve nën mbikqyrjen e Organizatës Humanitare Gjysmëhëna e Kuqe dhe Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Dhjetra mijëra civilë sirianë të bllokuar dhe për rrjedhojë të zemëruar, presin prej ditësh rifillimin e evakuimit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë sot në se duhen çuar vëzhgues në qytetin e Alepos, për të mbikqyrur evakuimet dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e civilëve që mbeten në qytetin e shkatërruar nga luftimet.

Këshilli do të shqyrtojë një propozim të Francës që shprehu alarmin për keqësimin e krizës humanitare në qytet dhe në rrethinat e tij dhe për dhjetra mijëra banorët e izoluar të Alepos, në nevojë urgjnete për t’u evakuuar.

Konflikti në Siri, që filloi rreth 6 vjet më parë, si një protestë ndaj qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, ka vrarë rreth 400 mijë njerëz, sipas vlerësimit të Kombeve të Bashkuara. Miliona të tjerë janë larguar nga vendi, në kërkim të një jete më të sigurtë dhe të mikpritjes së vendeve europiane, të cilat hezitojnë t’i pranojnë ata si pjesë e shoqërive të tyre.