Hunter Biden po merret në pyetje nga ligjvënësit me dyer të mbyllura

18
Sigal

Hunter Biden do të paraqitet të mërkurën në Kongres për t’iu përgjigjur pyetjeve me dyer të mbyllura nga ligjvënësit. Ky është një moment kritik për republikanët, pasi hetimet e tyre për ngritjen e akuzave për shkarkimin e babait të tij, Presidentit Joe Biden dhe çështjet e biznesit të familjes së tyre, po shkojnë drejt dështimit.

Marrja në pyetje do të shënojë një pikë vendimtare për hetimin 14-mujor republikan për familjen Biden, hetim që është përqendruar tek Hunter Bideni dhe bizneset e tij në Ukrainë, Kinë, Rumani dhe vende të tjera. Republikanët kanë vënë në pikëpyetje prej kohësh nëse Presidenti Biden kishte ushtruar ndikim me synim përfitimi në kohën që ishte nënpresident.

Megjithatë, pas kryerjes së dhjetëra intervistave dhe sigurimit të më shumë se 100,000 dokumenteve, republikanët ende nuk kanë dhënë prova të drejtpërdrejta të shkeljes së ligjit nga presidenti. Ndërkohë, një informator i FBI-së që pretendoi se dinte për një skemë ryshfeti që përfshinte familjen Biden, një pretendim që republikanët e kishin përmendur vazhdimisht si provë për fillimin e hetimeve të tyre, po përballet me akuza për dhënin e provave të sajuara.

Mbetet e paqartë se sa informacione të dobishme do të mund të nxjerrin republikanët nga zoti Hunter Biden gjatë marrjes në pyetje. Ai është nën hetim federal dhe është paditur për nëntë akuza tatimore dhe një akuzë për posedim të armës së zjarrit në shtetin Delauer, që do të thotë se ai mund të refuzojë t’i përgjigjet disa pyetjeve duke shfrytëzuar nenin e pestë të Kushtetuës amerikane, që i lejon të pandehurit të mos përgjigjen, për të mbrojtur veten nga dhënia e dëshmive që mund t’i dëmtojë në gjyq.

Detyra e intervistimit të djalit të Presidentit Biden, Hunter iu takon kryesisht ligjvënësve James Comer dhe Jim Jordan, republikanët që drfejtojnë hetimin. Ata e thirrën fillimisht zotin Biden në nëntor, duke kërkuar që ai të paraqitej para ligjvënësve në një mjedis privat. Zoti Hunter Biden dhe avokatët e tij refuzuan, duke paralajmëruar se dëshmia e tij mund t’i jepej shtypit dhe të manipulohej. Zoti Biden këmbënguli të dëshmonte vetëm publikisht.

Në ditën kur duhej të shkonte në Kongres, zoti Hunter Biden jo vetëm që refuzoi të paraqitej para ligjvënësve, ai u shfaq pranë Kapitolit, duke mbajtur një konferencë shtypi ku denoncoi hetimin ndaj familjes së tij.

Të dyja palët ranë dakord përfundimisht në janar për një dëshmi jo-publike me një sërë kushtesh. Intervista me zotin Hunter Biden nuk do të filmohet dhe republikanët kanë rënë dakord ta publikojnë shpejt transkriptin.

“Komisionet tona kanë mundësinë të intervistojnë Hunter Bidenin, një dëshmitar kyç në hetimin tonë për ngritjen e akuzave për shkarkim të Presidentit”, tha zoti Comer, kryetar i Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’. “Kjo intervistë nuk është përfundimi i hetimit. Do të vijnë më shumë thirrje dhe intervista të dëshmitarëve.”

Zoti Hunter Biden do të jetë anëtari i dytë i familjes Biden i marrë në pyetje nga republikanët gjatë ditëve të fundit. Ata zhvilluan një intervistë më shumë se tetë-orëshe javën e kaluar me James Biden-in, vëllain e Presidentit. Ai këmbënguli para ligjvënësve se Joe Biden “kurrë nuk ka pasur ndonjë përfshirje”, financiarisht ose në forma të tjera, në sipërmarrjet e tij të biznesit.

Në anën tjetër të vendit, në Nevada, prokurorët federalë këtë muaj paditën një informator të FBI-së, Alexander Smirnov, i cili pretendoi se dinte për një skemë ryshfeti shumëmilionëshe që përfshinte Presidentin, djalin e tij Hunter dhe një kompani ukrainase të energjisë. Prokurorët në dokumentet e gjykatës pohojnë se zoti Smirnov ka pasur kontakte “të gjera edhe të ditëve të fundit” me njerëz që janë në linjë me inteligjencën ruse.

Avokatët e zotit Smirnov kanë thënë se ai është i pafajshëm.

Republikanët i bënë presion FBI-së verën e kaluar mbi pretendimet e informatorit Smirnov, duke kërkuar që të shihnin dokumentet kryesore dhe të publikonin informacionet e paverifikuara. Pretendimi u citua në mënyrë të përsëritur në letrat që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve u dërguan dëshmitarëve.

Shumë ligjvënës republikanë thonë se ata ende nuk kanë parë prova të “krimeve dhe kundërvajtjeve” që kërkohen për ngritjen e akuzave për shkarkim, pavarësisht përpjekjeve të supozuara të anëtarëve të familjes Biden për të përdorur mbiemrin në pagesat e korporatave brenda dhe jashtë vendit.

Por, republikanët që udhëheqin përpjekjet për ngritjen e akuzave për shkarkim thonë se nuk ndikohen nga pengesat në hetimin e tyre. Ligjvënësi Jim Jordan, kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, tha javën e kaluar, se aktakuza e informatorit “nuk i ndryshon faktet themelore” se familja Biden u përpoq të përfitonte nga emri i familjes në disa biznese jashtë shtetit.

Ligjvënësi Comer i tha televizionit ‘Fox News’ të martën se informatori Smirnov nuk ishte kurrë “një pjesë kyçe e këtij hetimi”.

Zoti Comer dhe zoti Jordan kanë këmbëngulur gjatë vitit të kaluar që hetimi i tyre përqendrohet vetëm te Presidenti Joe Biden dhe çfarë veprimesh, nëse ka, ai ndërmori gjatë kohës që ishte nënpresident ose president për të përfituar familja e tij. Por pothuajse në çdo hap, hetimi i tyre ka pasur një fokus të vazhdueshëm dhe të rëndë te Hunter Bideni. Janë hapur disa linja hetimi mbi çështjet e biznesit ndërkombëtar të djalit të Presidentit, shitjet e veprave të tij artistike dhe madje edhe jetën e tij personale dhe betejën e vazhdueshme me varësinë nga droga.

Ndërkohë, zotit Hunter Biden nuk i mungojnë problemet e tjera ligjore jashtë Kongresit, pasi ai përballet me akuza penale në dy shtete nga një hetim i një prokurori të posaçëm. Ai përballet me akuza për posedim të armës së zjarrit në shtetin Delauer, me pretendimin se ka shkelur ligjin kundër posedimit të armëve nga përdoruesit e drogës në vitin 2018, një periudhë kur ai e ka pranuar se po luftonte me varësinë nga drogat. Prokurori i posaçëm David Weiss ngriti akuza shtesë në fund të vitit të kaluar, duke pretenduar se ai nuk kishte paguar rreth 1.4 milionë dollarë taksa gjatë tre viteve. Ai pretendon pafajësinë në të dyja rastet.