Hebrejtë në SHBA: T’u jepet fund krimeve të urrejtjes në shkolla e varreza

520
Disa grupet hebrejsh po i kërkojnë Presidentit Trump të shtojë përpjekjet për t’i dhënë fund krimeve të urrejtjes nëpër varrezat e hebrejve dhe të ndalojë kërcënimet për bomba në shkolla.

“Kush diskriminon hebrenjtë duhet ta ketë të qartë se qeveria federale do përdorë gjithë fuqinë dhe pushtetin e saj kundër intolerancës e dhunës”, tha në një pronocim për VOA-n Jonathan Greenblatt, drejtori kombëtar i “Shoqatës Kundër Shpifjeve”.

Përveç kërcënimeve me bomba, vandalët shkatërruan gjatë fundjavës qindra varre në varrezat hebraike në Filadelfia, disa prej të cilave i përkisnin viteve 1800. Policia tha se, në këtë rast, mendohet se nën shënjestër ishte komuniteti hebre, por ky nuk është një version përfundimtar zyrtar.

Greenblatt i “Shoqatës kundër Shpifjeve” nuk është i sigurtë nëse gjithë këto incidente kanë lidhje me njëri-tjetrin, por fajësoi për shtimin e tyre frymën antisemite që pasoi zgjedhjen e presidentit Donald Trump.

Edhe pse deklaratat e zotit Greenblatt nuk mbështeten në statistika zyrtare, ai i kërkoi qeverisë federale të krijojë një grup pune për të luftuar antisemitizmin; i kërkoi FBI-së që të ofrojë trajnime mbi krimet e urrejtjes dhe Departamentit të Arsimit i kërkoi të fusë në shkolla materiale kundër paragjykimeve dhe urrejtjes.

Greenblatt tha se ishte “i prekur dhe ndjente mirënjohje” që Zëvendës Presidenti Mike Pence vizitoi javën e shkuar kampin nazsit të Dachau-t në vizitën e parë jashtë vendit. Ai shkoi gjithashtu në varrezën hebraike të sulmuar nga vandalët në St. Louis, ku ofroi ndihmën e tij për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Sigal