Hakerët po përpiqen të vjedhin sekretet e vaksinës anti Covid

234
Sigal

Hakerët e sponsorizuar nga shtetet sikurse Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut janë angazhuar në përpjekje për të vjedhur sekretet e vaksinës së koronavirusit, atë që ekspertët e sigurisë e përshkruajnë si “një luftë të pronës intelektuale”.

Sipas The Guardian, ata akuzojnë hakerët për përpjekjen e tyre për të vjedhur rezultatet e hershme të testimit si dhe ‘kapjen’ e informacioneve delikate në lidhje me prodhimin e ilaçeve në masë në një kohë kur një sërë vaksinash është afër miratimit për përdorim.

Lufta kibernetike përfshin agjencitë perëndimore të inteligjencës, përfshirë dhe Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Britanisë, të cilët thonë se janë të përkushtuar për të mbrojtur “pasuritë kritike”. Mirëpo ata e diskutojnë vetëm një pjesë të punës së tyre në publik.

Adam Meyers, nënkryetar i lartë tek specialistët e sigurisë IT Crowdstrike, tha se vendet sikurse Rusia dhe Kina ishin angazhuar në piraterinë e kompanive perëndimore dhe agjencive për gjatë 20 viteve të fundit, por që nga muaji mars, ishin përqendruar në një temë, duke iu referuar çështjes së COVID-19.

Ekspertët perëndimorë shtojnë se sulmet vijnë shpesh nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Në muajin shtator, hakerët kinezë u akuzuan nga Spanja për vjedhje të sekreteve kërkimore të COVID-19 nga laboratorët.