Hahn për ankesat greke mbi tekstet e historisë: Të trajtohen nga palët e interesuara

766
Komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn, është pozicionuar ndaj pyetjes së dy eurodeputetëve grekë, të cilët kërkonin opinionin e Komisionit Europian mbi çështjen e teksteve shkollore të historisë në Shqipëri, që sipas tyre përmbanin harta irredentiste me pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje.
“Çështjet dypalëshe duhet të trajtohen nga palët e interesuara sa më shpejt që të jetë e mundur”, është përgjigjur komisioneri.
Sipas gazetës së SYRIZA-s në pushtet, “Avgi”, Hahn “pa u pozicionuar direkt për çështjen në fjalë”, ka shtuar se “nga sa është në dijeni KE, ka një komision të përbashkët greko-shqiptar që po shqyrton rishikimin e teksteve shkollore”.
Gjithësesi, Johannes Hahn, ka theksuar se “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal përbëjnë vlera themelore të procesit të stabilizim asociimit dhe të zgjerimit të BE”.
Komisionieri vë gjithashtu në dukje se sipas progres raportit të fundit për Shqipërinë, marrëdhëniet e vendit me Greqinë “kanë mbetur në përgjithësi pozitive, me shkëmbime të shpeshta vizitash të nivelit të lartë”.
Në tetor të vitit të kaluar, eurodeputetët e SYRIZA-s, Dimitris Papadimoulis dhe Stelios Kouloglou iu drejtuan Komisionit Europian për tekstet shkollore shqiptare të historisë.
“Në një kohë që Shqipëria aspiron përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, harta me përmbajtje nacionaliste dhe irredentiste përfshihen në tekstet zyrtare shkollore, duke propaganduar idenë e “Shqipërisë së Madhe”. Këto harta përfshijnë territore të gjithë vendeve fqinje, si dhe të një shteti anëtar të BE-së, që është Greqia”, nënvizonin në argumentimin e pyetjes së tyre dy eurodeputetët grekë, të cilëve tashmë iu përgjigj komisioneri Hahn.
Sigal