Gruevski i dorëzon sot dorëheqjen kryeparlamentarit, Hahn sot në Maqedoni

471
Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski do të paraqesë sot te kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, dorëheqjen nga posti aktual.
Këtë e bëri të ditur vetë Gruevski dje, gjatë një fjalimi në selinë e Qeverisë, duke u zotuar se do të respektojë në tërësi marrëveshjen e 2 qershorit për zgjidhjen e krizës.
Kjo marrëveshje parashikon dorëheqjen e kryeministrit 100 ditë para mbatjes së zgjedhjeve.
“Sipas Marrëveshjes së Përzhinos kryeministri do të duhet të tërhiqet 100 ditë përpara zgjedhjeve, dhe unë që nesër deri të kryetari i Parlamentit të Maqedonisë do ta dorëzoj kërkesën për dorëheqje”, deklaroi Nikolla Gruevski, duke shtuar se këtë akt e bën me të vetmin qëllim për të nxjerrë Maqedoninënga kriza.
Gruevski tha se i ka respektuar të gjitha pikat e Marrëveshjes së Përzhinës.
“Ne kemi bërë mjaft kompromis, bile kemi qenë të kritikuar se shumë kemi dhënë. Ne i kemi plotësuar të gjitha kërkesat. Zgjedhjet do të duhet të mbahen më 24 prill, unë jam që të mbahen zgjedhjet. Vetë e dini se vendi ynë është në një krizë të thellë politike, verën e kaluar 4 partitë më të mëdha politike bashkë me ndërmjetësuesit e jashtëm, arritëm në një marrëveshje për tejkalimin e krizës.
Duhet që të lihen problemet anash që populli dhe shteti të ecë përpara. Detyrat tona ne i kemi kryer. Zgjedhjet e 24 prillit do t’i pastrojnë mjegullat të cilat na i shkaktuan, tërë këtë agoni do ta lëmë pas nesh dhe do të tregojmë se askush nuk guxon ta nënvlerësojë popullin tonë sepse ai e di çfarë do, kënd dhe pse e përmban”, deklaroi Nikolla Gruevski.
Të premten në Maqedoni vjen Komisioneri Johanes Han, i cili do të inspektojë realizimin e marrëveshjes së qershor/korrikut si dhe zbatimin në kohë të së njëjtës.
Vizita e tij do të jetë vendimtare nëse do të ketë ose jo zgjedhje edhe pse sipas komunikatës për shtyp nga zyra e tij, Han duket se nuk lëshon pe nga mbajtja e tyre më 24 prill.
“Pres që elementet e rëndësishme të marrëveshjes politike do të zgjidhen përpara ose gjatë vizitës sime, duke i lejuar KSHZ-së organizim të zgjedhjeve të besueshme, sipas datës së parashikuar dhe të rënë dakord”, deklaroi ​Han.
Sigal