Gruevski e Zaev shkëmbejnë akuzat pasi kthehen nga Brukseli

460
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe lideri i opozitës, Zoran Zaev, kanë fajësuar njeri-tjetrin për ngecjen e negociatave në Bruksel, ku edhe pas 12 orësh bisedimesh nuk u dol në asnjë përfundim.
Pika kyçe ku palët përplasen janë udhëheqja dhe përbërja e qeverisë që do të organizojë zgjedhjet e parakohshme të cilat priten të organizohen në prill 2016.
Me t’u kthyer në Shkup, Zaev tha për mediat se për asnjë çast ai dhe opozita e bashkuar nuk do të heqin dorë nga largimi i Gruevskit një orë e më parë.

Zaev: “Gruevski ishte i gatshëm t’i shesë të gjithë vetëm të shpëtojë lëkurën e tij. Kemi diçka në drejtimin e duhur, por kjo nuk mjafton që të themi se kemi arritur një marrëveshje. Nëse ai nuk pranon kushtet tona, atëherë do të përshkallëzojmë veprimet tona demokratike”.
Nga ana tjetër, Gruevski akuzon Zaevin se i ka sabotuar bisedimet sepse frikohet nga rezultati zgjedhor dhe mbështetja popullore për VMRO-DPMNE.
Sipas të gjitha gjasave, Gruevski i ka ofruar Zaevit katër poste zëvendës/ministrash me të drejtë vetoje në disa vendime, si dhe largimin e tij vetëm tre muaj para zgjedhjeve, ofertë që mësohet të jetë refuzuar nga Zaev.
Por, me shumë mundësi, brenda pak javësh, edhe BDI e Ali Ahmetit pritet të braktisë qeverinë, për të dhënë sinjalin e ndryshimit, ndërsa PDSH e Menduh Thaçit duket se ka refuzuar propozimin për t’u përfshirë në kabinetin aktual, duke lënë kështu kryeministrin Gruevski të vetëm në përpjekjen e tij për të drejtuar vendin, e përfshirë nga skandali i përgjimeve.
Sigal