Greqia pranë daljes nga eurozona, BE samit urgjent të hënën

481
Liderët e Bashkimit Europian do të mbajnë një samit urgjent të hënën, pasi përpjekja më e fundit për zgjidhjen e krizës së borxhit grek, në mbledhjen e ministrave të Financave të eurozonës, dështoi, duke bërë që dalja e vendit nga eurozona dhe rrjedhimisht edhe nga Bashkimi Europian, të duket më pranë se kurrë.
Për të shmangur kolapsin financiar, Banka Qendrore Europiane bëri të ditur se ka ngritur tavanin e fondeve të emergjencës për bankat greke, për herë të dytë brenda javës, pa dhënë detaje mbi shumën.
Ndërkohë, kryeministri Aleksis Tsipras mbërriti në Shën Pjetërburg, ku me shumë gjasa do të diskutojë për ndihmë alternative me presidentin rus, Vladimir Putin. Pavarësisht optimizmit për samitin e të hënës, Tsipras përdori një retorikë mjaft të ashpër, duke u shprehur para diasporës helene në Rusi, se populli grek kërkon të rifitojë sovranitetin e tij.
“Grekët dhe e gjithë bota helene e ka në karakter që të mobilizohet për të shmangur vështirësitë. Prandaj synimi ynë dhe i gjithë popullit grek është të rifitojë sovranitetin. Dhe ju të gjithë do të jeni krenar që jeni grekë”.
Tsipras pritet t’i kërkojë Putinit mbështetje financiare, në këmbim të përfshirjes së Greqisë në projektin e gazësjellësit Turkish Stream, i cili do të dërgojë gaz nga Rusia për në Europë, përmes Turqisë dhe Greqisë, si një alternativë e gazësjellësit TAP. Ai mund të ofrojë në këmbim edhe heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në kundërshtim me politikat europiane, pasi në disa raste i ka kritikuar ato, për dëmin që i kanë shkaktuar ekonomisë greke, duke qenë se produktet bujqësore të vendit kishin treg të gjerë në Rusi.
Megjithatë, Greqisë i kanë mbetur më pak se dy javë kohë për të nënshkruar një marrëveshje për të shmangur falimentimin, pasi në 30 qershor duhet të shlyejë 1,6 milionë euro ndaj FMN-së, në të njejtën ditë kur edhe skadon program aktual i shpëtimit.
Sigal