Greqia izolohet nga e shtuna

247
Sigal

Nga e shtuna, Greqia do të hyjë në një bllokim të dytë kombëtar për tre javë, një mënyrë për të frenuar rigjallërimin e virusit.

Më herët, kryeministri grek kishte thënë se bllokimi do të ishte opsioni i fundit, por në një dalje për mediat, Kyriakos Mitsotakis tha se ishte i detyruar të veprojë pas rritjes së mprehtë të rasteve në pesë ditët e fundit, ndërsa presioni mbi sistemin e kujdesit shëndetësor ishte “ i padurueshëm”.

Sipas kufizimeve të reja në të gjithë vendin që do të hyjnë në fuqi nga e shtuna, bizneset me pakicë do të mbyllen, me përjashtim të supermarketeve dhe farmacive. Grekëve do t’u duhet një leje me SMS për të dalë jashtë. Shkollat ​​fillore do të qëndrojnë të hapura, por shkollat ​​e mesme do të mbyllen.

Prezantohet paketa e re ekonomike

Kreu i qeverisë theksoi se do të vijojë të jepet ndihma ekonomike. Pas vendosjes së bllokimit ministri i Financave, publikoi një paketë të re prej 3.3 miliardë eurosh, për t’u ardhur në ndihmë punëtorëve dhe familjeve të vendosura nën presion nga izolimi i dytë kombëtar.

Christos Staikouras tha se Greqia ka një rezervë parash prej 37.5 miliardë eurosh, gjysma e të cilave është mbledhur vitin e kaluar.

Paketa e mbështetjes ekonomike është “zgjeruar dhe zgjeruar” për të forcuar tregun e punës dhe familjet, por gjithashtu dhe për të mbrojtur “kohezionin social”, shtoi ministri.

Sipas masave të reja, punonjësit, kontratat e të cilave janë pezulluar nga kompanitë e mbyllura sipas kufizimeve të reja dhe të renditur në katalogun e bizneseve që kanë të drejtë për kompensim, të publikuar në prill në bllokimin e pranverës, do të marrin një pagë mujore prej 800 euro.

Bizneset e mbyllura do të kenë mundësinë të pezullojnë pagesat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për nëntorin ose të paguajnë detyrimet e tyre në 12 këste me interes zero. Ata do të kenë gjithashtu mundësinë për të ngrirë përkohësisht këstin e nëntorit për taksat e prapambetura dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Punonjësve të cilëve u pezullohet kontrata u jepet i njëjti privilegj.

Përfitimet e papunësisë që skadojnë në nëntor dhe dhjetor janë zgjatur me dy muaj shtesë, shtoi ministri i Financave, ndërsa 130 mijë të papunë afatgjatë do të marrin një shpërblim të njëhershëm prej 400 euro.

Ashtu si në bllokimin e pranverës, bizneset që janë mbyllur dhe qiramarrësit privatë, kontratat e punës të të cilëve janë pezulluar, kanë të drejtën e një ulje të qirasë me 40%. Masat përfshijnë gjithashtu një plan për zgjatjen e pagesës së çeqeve.

Greqia, e cila humbi një të katërtën e prodhimit të saj kombëtar gjatë një krize financiare një dekada të gjatë, pret që ekonomia e saj të tkurret me 8.2% këtë vit./Ekathimerini