Greqia goditet nga moti i keq, dy të vdekur. Pezullohen shkollat, dhjetëra të evakuuar

221

Fenomeni “Geroni”, një stuhi me shira rrëmbyese, erëra të forta dhe ulje temperature ka përfshirë gjatë natës Greqinë. Dëme të shumta janë shënuar në Athinë, në Atikën perëndimore, në zonën Korinthia, por edhe në Greqinë veriore, në disa zona të Maqedonisë.

Sekretaria e Përgjithshme e Mbrojtjes së Qytetarit paralajmëron se edhe dita e sotme do të jetë e rrezikshme, pasi stuhia do të vazhdojë kalimin mbi zona të tjera të vendit.

Nga shirat e rrëmbyer dhe vërshimi i detit është bllokuar rruga Nacionale e re dhe e vjetër Athinë-Korinth, akoma nuk është i mundur qarkullimi.

Në zonën Kineta, zjarrfikësit kishin 64 thirrje vetëm brenda pak orëve, ndërsa janë evakuuar disa familje e janë shënuar dëme të shumta materiale në gjithë zonën, të mbuluar nga balta. Dy persona kanë humbur jetën pasi është përmbysur skafi në portin e vogël të Antirio, nga moti i keq.

Në kryeqytetin grek dhe gjithë periferinë e Atikës, është dhënë urdhër të mos funksionojnë shkollat e kopshtet deri në orën 10:00 kur pritet një urdhër i dytë.

Rruga nacionale greke Athinë-Korinth, e reja dhe e vjetra në vijën detare, vijojnë të jenë të bllokuara nga përmbytja në segmentin Kineta-Agious Theodhorous, në kilometrin e 61-të. Me tjetër deklaratë, sekretaria e përgjithshme e mbrojtjes së qytetarit paralajmëron të shmanget qarkullimi i qytetarëve në vend, ose të kufizohet duke qenë shumë të kujdesshëm edhe në orët në vijim.

27 persona kanë rrezikuar jetën dhe janë evakuuar nga zjarrfikësit, kur shtëpitë e tyre janë rrënuar nga shirat e furishëm.

Fenomeni “Geroni” do të ndodhet dhe sot mbi territorin grek, duke përfshirë gradualisht Peloponezin, Kretë, Thesalia, pasdite drejt ishujve Sporades, Ciklades e në mbrëmje Maqedoninë Qendrore dhe Perëndimore.