Sigal

Autoritetet greke u alarmuan mëngjesin e kësaj të shtune për shkak se një person kishte thyer perimetrin e sigurisë së ambasadës së Serbisë në Athinë.

I dyshuari mbante në dorë një thikë dhe kishte kapërcyer murin rrethues duke hyrë në oborrin e ambasadës. Sipas shtypit grek, ai është një shtetas serb dhe qëndroi për rreth 2 orë brenda perimetrit të ambasadës së Serbisë, por nuk përbënte rrezik për pengmarrje.

Ai ishte në gjendje të dehur dhe bërtiste: “Kosova të bashkohet me Serbinë” dhe “të largohen turqit dhe bullgarët”. Një negociator i policisë greke, përmes një përkthyesi, e bindi të riun që të dorëzohej dhe të hidhte thikën. Incidenti kaloi pa probleme dhe i dyshuar u shoqërua për në polici.