Gjykata Ndërkombëtare Penale, urdhër-arrest për Putin, akuzohet për krime lufte

93
Sigal

Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin, për përgjegjësinë për krimet e luftës të kryera nga forcat ruse në Ukrainë gjatë luftës që vazhdon prej më shumë se një viti.

Gjykata ndërkombëtare me seli në Hagë tha se Putin dyshohej për përgjegjësinë për “krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë (fëmijëve) nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.

Moska i ka mohuar vazhdimisht akuzat për mizori gjatë pushtimit të fqinjit të saj. Kujtojmë se Kremlini nuk e njeh juridiksionin e kësaj gjykate ndërkombëtare.

Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhër-arresti është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.

Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”.

“Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Ndërkombëtare Penale në deklaratën e lëshuar më 17 mars.