Gjykata i kërkon “Netflix”-it të heqë nga transmetimi filmin, që paraqet Jezusin si homoseksual

425
Sigal

Një organizatë katolike e cila paditi platformën Netflix për transmetimin e një komedie të quajtur “The First Temptation of Christ” ka fituar gjyqin.

Sipas organizatës, filmi ka prekur nderin e miliona katolikëve ndaj gjykata braziliane urdhëroi që ky film të hiqet nga Netflix në Brazil pasi sipas vendimit: “Liria e shprehjes nuk është absolute”.

Netflix nuk ka komentuar ende vendimin ndërsa kujtojmë se një debat i gjerë përfshiu Brazilin pas shfaqjes së komedisë e cila e përshkruan Jezusin si një homoseksual që sjell në shtëpi të dashurin e tij, Orlandon, për të takuar Familjen e Shenjtë.

Rreth dy milionë njerëz nënshkruan një peticion online ku kërkuan nga platforma të heqë komedinë 46-minutëshe pasi sipas tyre ka fyer të gjithë të krishterët.

Sipas Reuters, “Tundimi i parë i Krishtit” u krijua nga Porta dos Fundos, një grup komedianësh në YouTube, të cilët pas debatit të ashpër dhanë një deklaratë ku thanë se vlerësojnë lirinë artistike dhe humorin përmes satirës dhe temave më të larmishme kulturore të shoqërisë, ndërsa shtuan se besojnë te liria e shprehjes, mjet thelbësor në një vend demokratik.