Gjermania anulon festivalin e birrës, ndërsa SHBA emigracionin përkohësisht

376
Sigal

Oktoberfest, festivali më i madh i birrës në botë që tërheq miliona vizitorë nga e gjithë bota çdo vit, është anuluar, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Ngjarja më e madhe kulturore në Bavari, ishte planifikuar të zhvillohej nga e Shtuna e 19 Shtatorit deri të Dielën në 4 Tetor.

Guvernatori i shtetit bavarez Markus Soeder dhe kryetari i Mynihut Dieter Reiter kanë njoftuar në një konferencë shtypi se Oktoberfest i këtij viti është anuluar. Anulimi i festivalit do të jetë një goditje e madhe për ekonominë bavareze – pasi më shumë se 6 milionë vizitorë marrin pjesë dhe shpenzojnë rreth 1.2 miliardë euro çdo vit.

Që nga fillimi i tij në vitin 1810, Oktoberfest është anuluar 24 herë, përfshirë dy herë për shkak të epidemive të kolerës në 1854 dhe 1873.

Gjermania, e cila lejoi që dyqanet më të vogla të rihapeshin në fillimjavë, tashmë ka ndaluar të gjitha ngjarjet e mëdha deri në fund të gushtit.

Emigracioni në SHBA anulohet përkohësisht

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetit, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus duke parë perspektivën globale të virusit, paralajmëroi se “më e keqja është akoma përpara nesh”.

Ndërkohë Donald Trump ka njoftuar se do të pezullojë përkohësisht emigracionin në Shtetet e Bashkuara për shkak të pandemisë.

Presidenti amerikan shkroi në Twitter se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për shkak të “sulmit nga armiku i padukshëm”, dhe për të mbrojtur vendet e punës.

‘Në dritën e sulmit nga armiku i padukshëm, si dhe nga nevoja për të mbrojtur punët e qytetarëve tanë të mëdhenj amerikanë, unë do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht emigracionin në Shtetet e Bashkuara!”.

Ai nuk dha detaje se si vendimi i tij do të funksionojë në praktikë, pasi vendi vazhdon të përballet me përplasje se si duhet trajtuar shpërthimi i koronavirusit, i cili deri më tani ka marrë jetën e mbi 42 mijë personave në SHBA./Euronews