Gjermani – Në pranga bashkëpunëtori i shqiptarit të arrestuar në Vjenë për terrorizëm

457
Policia gjermane thotë se ka arrestuar një 21 vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i 17-vjeçarit nga Tirana Lorenz K, i cili u arrestua të premten në Vjenë nën akuzën e lidhjeve me ISIS.
Ndalimi i 21 vjeçarit, identiteti dhe kombësia e të cilit nuk bëhet me dije, u bë gjatë një operacioni antiterrorizëm rreth orës 23:20 të së shtunës në Neuss.
Policia bastisi apartamentin e tij në një pallat. Bashkë me të u shoqërua dhe një grua, e cila më pas u la e lirë.
I riu doli para gjykatës dhe tani është vendosur në paraburgim. Mediat gjermane raportojnë se i arrestuari dyshohet se po planifikonte një sulm ndaj policëve dhe ushtarëve gjermanë në Berlin.
Gjatë kontrollit të policisë në banesë nuk u gjet asnjë armë apo eksploziv, por hetuesit sekuestruan kompjutera dhe disqe të shumta.
Shqiptari i arrestuar në Vjenë dyshohet të ketë qëndruar në banesën e të arrestuarit në Neuss.
Autoritetet e sigurisë austriake dhe ato të Policisë Federale Kriminale në Gjermani janë duke punuar ngushtë.
“Të premten Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière ka qenë në kontakt me homologun e tij austriak Wolfgang Sobotka dhe ka ofruar çdo mbështetje”, tha një zëdhënës i Ministrisë të dielën në Berlin.
Hetimet për shqiptarin e arrestuar në Austri deri tani nuk kanë nxjerrë prova bindëse se ai mund të jetë përfshirë direkt në planifikimin e ndonjë sulmi.
Gjatë marrjes në pyetje, ai ka pranuar se kishte parë video në internet në lidhje me ISIS-n, por nuk ka pranuar të ketë planifikuar ndonjë sulm me bombë.
Policia austriake ka marrë në pyetje edhe babain e tij, gjithashtu rezident në Austri, i cili ka mohuar që i biri të jetë përfshirë në ndonjë aktivitet të jashtëligjshëm. Mediat austriake thonë se i riu është i biri i dy prindërve nga Tirana dhe banues në Neunkirchen.
Sigal