Gjithnjë e më shumë sipërmarrje në të gjitha degët nuk gjejnë sa duhet forca të kualifikuara apo të rinj për kualifikim profesional. Kjo e rrezikon fort aftësinë konkurruese të biznesit të mesëm dhe me këtë të Gjermanisë në tërësi.
Sipas Jerger „shumë sipërmarrjeve u duhet të refuzojnë që tani porositë, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar. Edhe situata e shkollimit profesional nuk është më e mirë. Në Gjermani ka më shumë se 390 profesione të njohura të shkollimit profesional, e në të gjitha gati mungojnë të rinjtë për shkollim profesional.
“Sidomos në degët e informatikës dhe teknikës, në sektorin e kujdesit shëndetësor si edhe zejet profesionale mungojnë forcat e reja. „Në rastin më të keq sipërmarrjet duhet të mbyllin dyert e kjo prek biznesin familjar”, thotë Jerger.
Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e ndërtimit
Kreu i Agjencisë Federale të Punës, Detlef Scheele u shpreh për “Welt am Sonntag”, se në tërësi në Gjermani kërkohen 1,2 milionë forca punëtore, prej tyre dy të tretat si fuqi punëtore e kualifikuar. Në fund të gushtit kreu i Agjencisë Federale të Punës u shpreh, se Gjermanisë i duhen 400.000 emigrantë të kualifikuar çdo vit për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore.
Edhe sektori i ndërtimit ka nevojë për fuqi të kualifikuar punëtore. Në degën e ndërtimit, sipas një sondazhi mungon gjithnjë e më shumë personel i kualifikuar. Në sektorin e ndërtimit të pallateve 33,5% e sipërmarrjeve janë shprehur, se kanë probleme në gjetjen e fuqisë punëtore. Krahas ngushticave në furnizimin me materiale, mungesa e fuqisë punëtore, po kthehet në një problem gjithnjë e më të madh për sektorin e ndërtimit”, tha studiuesi i Institut të Ekonomisë, Ifo, Felix Leiss, e kjo në një kohë kur ka shumë kërkesa.