Gazeta gjermane: ISIS, po i afrohet Evropës përmes Ballkanit

450
Shërbimet sekrete gjermane vërejnë islamistë radikalë në Ballkanin Perëndimor po krijojnë gjithnjë e më shumë rrjete për t’i futur luftëtarët e xhihadit në zona krize. Gazeta gjermane “Welt am Sonntag” shkruan se në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoni predikuesit selafistë në masë të madhe po rekrutojnë luftëtarë për përleshjet në Siri dhe në Irakun verior. Qarqet e sigurisë në Gjermani janë të alarmuara. Sipas njoftimeve të gazetës “Welt am Sonntag” milicia e terrorit e njohur me emrin “Shteti Islamik” (ISIS) po i afrohet gjithnjë e më shumë Europës Perëndimore si kërcënim serioz.
Gjithnjë e më tepër si portë për të hyrë luftëtarët islamikë në Europën Perëndimore po përdoret Ballkani. Gazeta shkruan se për këtë çështje të ndjeshme do të diskutojnë në Samitin e shteteve më të mëdha industriale G7 edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti amerikan Barack Obama. Samiti po mbahet në kështjellën gjermane Elmau në landin e Bavarisë. “Prej disa muajsh shërbimet sekrete gjermane vërejnë një trend në Ballkanin Perëndimor: islamistë radikalë atje po krijojnë gjithnjë e më shumë rrjete për t’i futur luftëtarët e xhihadit në zona krize. Në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoni predikuesit selafistë në masë të madhe po rekrutojnë luftëtarë për përleshjet në Siri dhe në Irakun verior. Vetëm nga Kosova ndërkohë thuhet se kanë shkuar në rajonin e krizës (Siri dhe Irak,) më shumë se 250 islamistë. Krahasuar me numrin e banorëve vendi mban rekordin në Europë”, shkruan “Welt am Sonntag”.
Rajoni i Ballkanit, shkruan gazeta, është edhe rrugë transitore për luftëtarë xhihadi. Islamistë nga Gjermania, Franca, Belgjika, Austria dhe Holanda mendohet se bëjnë një pauzë në Ballkan rrugës për në Siri apo Irak. “Mendojmë se atje madje ekziston një lloj trajnimi paraprak për xhihadistë të ardhshëm”, tha një përfaqësues i autoriteteve të sigurisë për “Welt am Sonntag”. Ministria e Brendshme e Gjermanisë thotë se ekziston një rrezik i madh sidomos nga luftëtarët që kthehen nga zonat e luftës. Në ditët në vijim shërbimet sekrete gjermane do të njoftojnë një komision parlamentar të Bundestagut mbi rrezikun që buron nga Ballkani Perëndimor. Ky komision i zhvillon mbledhjet në fshehtësi. Ministria e Jashtme amerikane ka tërhequr vërejtjen mbi numrin e madh të luftëtarëve nga rajoni që i janë bashkangjitur ISIS-it. Ministria amerikane e Drejtësisë ka ndihmuar në Ballkan në ndjekjen e luftëtarëve të kthyer nga zonat e luftës, shkruan “Welt am Sonntag”.
Sigal