Garë shpejtësie pas vjedhjes/ Katër “skifterët” shqiptarë ia mbathin me mjetin luksoz, arrestohet një prej tyre

105
Sigal

Teksa magazina e shtëpisë së tij ishte duke u grabitur nga një grup prej 4 shqiptarësh, një 33-vjeçar italian ndodhej në shoqërinë e disa miqve në një bar, ku dhe mori në celular njoftimin se po grabitej.

Në këtë moment 33-vjeçari njoftoi autoritetet, ndërsa u nis drejt banesës së bashku me dy miqtë e tij për tu përballur me hajdutët. Me të arritur pranë banesës tre italianët vunë re dy persona brenda një makine “Audi Rs5 Coupe”, dhe dy të tjerë brenda magazinës që po vidhej.

Në momentin që kuptuan se janë zbuluar dy hajdutët brenda magazinës nxituan drejt automjetit të tyre, ku teksa largoheshin plagosën njërin prej miqve të 33-vjeçarit, i cili nuk u dorëzua dhe nisi ndjekjen me mjetin e tij Ford Fiesta.

Ndjekja me shpejtësi të lartë përfundoi pranë një kryqëzimi kur hajdutët përplasën mjetin e tyre me atë të italianit 33-vjeçar, ku më pas tre prej tyre u larguan dhe mbeti pas një 43-vjeçar shqiptar.

Mjeti “Audi” rezultoi se kishte qenë gjithashtu i vjedhur, ndërsa brenda makinës u gjetën sendet e vjedhura në magazinën e italianit, ku mes tyre ishin elektroshtëpiake të vogla dhe disa bizhuteri e ora.

Sakaq, i arrestuari i vetëm mbetet 43-vjeçari që nuk mundi të largohet nga skena e përplasjes, ndërsa vijojnë hetimet për arrestimin e gjithë grupit.