Në Paris po zhvillohet sot një nga protesta më të madha të viteve të fundit. Mijëra qytetarë kanë dalë në sheshin kryesor të kryeqytetit francez “Champs Elysee” për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe benzinës. Dy javë më parë qeveria vendosi të rrisë me 7 cent çmimin e naftës, nga 1.52 në 1.59 euro për litër. Vendimi u prit me protesta nga gjithë banorët e Francës. Gjatë një jave janë zhvilluar tubime masive ku ka pasur përplasje të ashpra me policinë.

Sipas të mediave franceze, nga përplasjet janë 620 të plagosur nga protestuesit, 136 të plagosur nga policia. Rreth 40 e të plagosurve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Protesta e sotme në Paris ka arritur kulmin kur qytetarët kanë bllokuar bulevardin kryesor të Francës, Champs Elysee. Pavarësisht se policia kishte vendosur kordone sigurie dhe e ka shpallur protestën të paligjshme në disa zona të Parisit, protestuesit kanë arritur të hyjnë territorin e ndaluar duke shkaktuar përplasje të dhunshme me policinë.

Policia tha se kishte dhënë autorizim për protestën vetëm afër kullës Eifel. Por protestuesit arritën me dhunë që të “pushtojnë” gjithë zonën kryesore të qytetit.

Pamjet e protestës tregojnë mijëra qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Emmanuel Macron. Rreth tremijë policë janë vendosur në qytet. Mediat flasin për rreth 30 mijë protestues që ndodhën vetëm në qendër të Parisit. Ndërkohë në gjithë qytetet e Francës llogaritet se më shumë se 300 mijë qytetarë kanë dalë në shesh për të kundërshtuar rritjen e taksave nga qeveria.

Protesta në Francë, pavarësisht akteve të dhunës që nuk mbështeten nga askush, është leksion sesi protestojnë qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian kur u preken interesat e tyre. Bëhet fjalë vetëm për një rritje prej 7 centësh të karburanit dh shoqatat e transportit dhe qytetarët kanë më shumë se një javë që protestojnë.

Ndërkohë në Shqipëri, çmimet rriten rregullisht çdo gjashtë muaj dhe jo vetëm nuk protestohet, por edhe ata që marrin mundimin të reagojnë ndaj qeverisë quhen “vandalë”. Sa herë që në Shqipëri ka ndonjë debat kombëtar, Kryeministri Edi Rama i referohet Francës si modeli i qytetarisë, kulturës, por edhe si “atdheu” i tij shpirtëror ku ka jetuar për disa kohë.

Reagimi për rritjen e çmimeve dhe vendimet e qeverisë në Paris, mbase tashmë duhet jetë modeli sesi duhet të reagojnë dhe shqiptarët.