Franca bëhet zonë e gjelbër, Macron: Europa duhet të nxjerrë mësime

261
Sigal

Franca kthehet në një zonë të gjelbër. Në një fjalim televiziv mbrëmjen e së dielës, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi heqjen e shumicës së kufizimeve, duke rihapur gjithçka, nga lokalet e mbyllura te kinematë.

“Lufta ndaj Covid-19 ka treguar sesa mangësi dhe dobësi kemi. Tani Europa duhet të marrë një mësim nga kjo pandemi. Ka ardhur koha që të ndërtojmë një model më të fortë dhe të jemi të pavarur nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Macron.

Sipas Macron, lufta ndaj virusit nuk dihet ende se kur do të përfundojë, por tani duhet që të ndërtohet një model i ri ekonomik, më i fortë. Qeveria franceze së fundmi ka akorduar fondin prej gati 500 miliardë euro, për të rigjallëruar ekonominë e cila ka pësuar një ulje me gati 11% qëkur pandemia u përhap.

Francezët do të jenë të lirshëm të udhëtojnë në shtetet e BE, por për zhvendosjet përtej kufijve të bllokut do të presin deri më 1 korrik. Macron tha se Franca e kishte siguruar fitoren e parë, por paralajmëroi se virusi mund të rikthehet.

“I gjithë vendi do të kthehet në zonë të gjelbër. Por, kjo nuk nënkupton se virusi ka ikur dhe se mund të ulim vigjilencën. Duhet të jetojmë me virusin për një kohë të gjatë, duke respektuar distancimin social. Vera e vitit 2020 nuk do të jetë si të tjerat dhe ne duhet të studiojmë evoluimin e pandemisë, për të qenë gati nëse ajo do të kthehet edhe më e fortë”, u shpreh Macron.

Nga 22 qershori do të rihapen edhe shkollat, përveç atyre të larta. Kreu i Élysée konfirmoi gjithashtu se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, i planifikuar fillimisht për muajin mars, do të mbahet në 28 qershor.

Megjithatë, grumbullimet masive do të mbetet rreptësisht të kontrolluara, pasi siç tha Macron, janë burimi kryesor i përhapjes së virusit. Por, ndërsa Franca kontinentale bëhet zonë e gjelbër, ne territoret e Mayotte dhe Gajanës franceze, ku niveli i infektimit është ende i lartë, mbetet ne fuqi alarmi portokalli. Mbi 29,400 vetë humbën jetën nga Covid-19 në Francë, por javët e fundit situata është përmirësuar ndjeshëm.