Forcat tokësore turke hyjnë në enklavën kurde në Siri

567
Media shtetërore në Turqi thotë se forcat tokësore turke kanë kaluar kufirin në enklavën kurde në Siri.
Agjencia Anadolu tha të dielën se forcat hynë në provincën Afrin, një ditë pasi avionët luftarakë turq nisën sulme ajrore kundër një milicie kurde të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në Afrin.
Agjencia Reuters po njofton, megjithatë, se një zëdhënës i militantëve kurdë (të Njësisë së Mbrojtjes për Popullin Kurdë apo YPG) tha se trupat turke u përpoqën të hynin në Afrin të dielën, por u sprapsën përsëri.
Turqia tha të shtunën se sulmi i saj ajror, i cili pritej, goditi më shumë se 100 objektiva, duke përfshirë edhe qytetin Afrin. Qyteti ka disa qindra mijëra banorë.
Sulmet ajrore synonin pozicionet e pushtuara nga milicia kurde (YPG). Ankaraja e akuzon milicinë për lidhje me kryengritjen kurde brenda Turqisë.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi për sulmin ajror përpara se ai të fillonte. Ai tha se sulmi do të “pastronte tokën tonë deri në kufirin me Irakun” nga ajo që ai e quajti “ndyrësia e terrorit që po përpiqet të rrethojë vendin tonë”.
Erdogan paralajmëroi se, pas Afrinit, ushtria turke do të synonte milicinë në qytetin sirian të Manbijit, ku janë dislokuar forcat amerikane.
SHBA mbështet Njësinë e Mbrojtjes së Popullit Kurdë në luftën e saj kundër militantëve të Shtetit Islamik. Uashingtoni ka njoftuar synimin për të krijuar një forcë sigurie në Siri në bashkëpunim me YPG. Njoftimi ka shkaktuar zemërim në Turqi.
Qeveria siriane ka dënuar sulmet ajrore turke, duke i quajtur “agresion” dhe një “sulm brutal”.
Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson foli të shtunën me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu. Departamenti i Shtetit nuk dha detaje mbi atë që u tha gjatë bisedës.
Sigal