FMN-ja, pesimiste për ekonominë globale

368
Sigal

FMN-ja mbështet vendimin e Rezervës Federale për mbajtjen në stanjacion të normave të interesit dhe paralajmëron mbi një parashikim ekonomik jo të mirë

Krye/ekonomistja e FMN-së ka mbështetur vendimin e Rezervës Federale për të mos ndryshuar normat e interesit, duke e cituar situatën aktuale aspak pozitive, shkruan “Financial Times”. Për sa i takon parashikimit global ekonomik ajo e cilëson atë si një parashikim gri dhe me rreziqe të konsiderueshme. Gita Gopinath, e cila mori postin e Krye/ekonomistes së FMN-së në fillim të këtij viti, e përshkroi situatën e Zonës së Euros dhe atë në Kinë jo pozitive, duke u shprehur se gjatë dhjetorit të kaluar mund të ketë pasur tkurrje në tregtinë botërore. Znj. Gopinath tha gjithashtu se lëvizja e Rezervës Federale do të ketë ndikim pozitiv në SHBA, ekonominë më të madhe në botë, e cila tashmë po ndihmohet nga ndikimi i mbetur i një pakete nxitëse fiskale. Fakti që Rezerva Federale ka vendosur të mbajë në stanjacion normat e interesit, do të sigurojë edhe një mbështetje më të madhe për ekonominë, tha znj. Gopinath, në një intervistë dhënë për “Financial Times”. Muajin e kaluar, Rezerva Federale hoqi dorë nga rritja e mëtejshme e normave afatshkurtra të interesit, duke u sensibilizuar në njëfarë mënyre edhe me situatat jo pozitive që po kalonin shtete të tjera, duke përfshirë këtu ngadalësimin e rritjes në Kinë dhe Evropë dhe rritjen e pasigurive rreth politikave tregtare. Të shumta kanë qenë institucionet e tjera që kanë rënë dakord me një lëvizje të tillë, dhe këtu mund të përmendim bankat qendrore të Indisë, Australisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Znj. Gopinath tha se ndryshimi në politikën e Rezervës Federale padyshim që ndihmoi ekonomitë e tregjeve në zhvillim, të cilat ishin përballur me kushtet e shtrëngimit vitin e kaluar. Monedhat e tregjeve në zhvillim u zhvlerësuan shumë gjatë vitit 2018, dhe flukset e kapitalit u dobësuan gjithashtu. Ndërsa tani ne po shohin që secila prej pikave të mësipërme sikur po “merr frymë lirisht”, tha më tej Krye/ekonomistja e FMN-së. Pavarësisht situatës së mundësuar nga banka qendrore amerikane, znj. Gopinath, 47 vjeçe, profesore e ekonomisë, e cila la Harvardin për të vazhduar punën si krye/ekonomiste në Fondin Monetar Ndërkombëtar, theksoi shqetësime të shumta në lidhje me një parashikim ekonomik global jo pozitiv. Muajin e kaluar, FMN-ja vlerësoi se ekonomia botërore do të rritet me 3.5% gjatë këtij viti, 0.2 pikë përqindje më pak se parashikimi i bërë në tetor të vitit të kaluar. Disa nga rishikimet më të mëdha në rënie prekën Evropën, duke goditur Gjermaninë dhe Italinë. “Në mes të vitit 2017, ne kemi pasur këtë rikuperim ciklik në zonën e euros, pas krizës së madhe financiare… që dukej e mirë si në anën e investimeve edhe në atë të konsumit. Por ky cikël është kthyer më shpejt sesa shumë mund të kishin parashikuar”, tha ajo.
Ajo tha se parashikimet e FMN-së për Britaninë e Madhe kishin përfshirë një “sërë ngjarjesh relativisht të mira” në lidhje me Brexit, duke qenë se shumica e popullit britanik nuk duan që Britania të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje, situatë e cila do të shkaktonte një tronditje të madhe financiare. “Që nga momenti kur u deklarua se Britania do të dilte nga BE-ja, ajo çka është krijuar ka qenë vetëm një situatë pasigurie e jashtëzakonshme, dhe shpresa ime dhe e shumë të tjerëve është që të arrihet së shpejti në një zgjidhje të mirë për të dyja palët”, shtoi ajo. Për sa i përket ngadalësimit të Kinës, znj. Gopinath tha se një pjesë e situatës kishte ardhur si pasojë e një rregullimi financiar më të rreptë. Lufta tregtare me SHBA është një faktor tjetër që ka ndikuar në rënien e saj dhe ajo i kërkoi të dyja shteteve që të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për t’i dhënë fund konflikt të tarifave. “Heqja e këtyre tarifave dhe mbi të gjitha që ky ndryshim do të ishte për një periudhë afatgjatë, do të ndihmonte jo vetëm Kinën por të gjithë opinionin global”, tha ajo. Znj. Gopinath, e cila ka lindur në Kalkuta të Indisë, ka kryer studimet universitare në Universitetin e Delhit dhe ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Princeton-it, është gruaja e parë që merr postin e Krye/ekonomistes së FMN-së, në këtë institucion që është krijuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Znj. Gopinath tha se një mbështetje për t’u emëruar në këtë post ajo e kishte marrë nga drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde. “Gratë kanë qenë të gatshme për të ardhur në këtë pozicion kohë më parë, edhe pse kjo gjë pranohet me vështirësi”, tha znj. Gopinath. Ajo thotë se fakti që është grua nuk i ka dhënë ndonjë avantazh, sepse mendon dhe i analizon çështje të ndryshme dhe jep për secilën prej tyre zgjidhje, në të njëjtën mënyrë siç do të vepronte çdo ekonomist tjetër me përvojë. Znj. Gopinath, eksperte në politikat e kursit të këmbimit, është e njohur për qëndrimin pragmatik mbi politikën ekonomike dhe monetare, edhe nëse kjo gjë do të thotë të sfidosh disa prej ideve më të rëndësishme të FMN-së. Sipas saj, do të ketë një lidhje shumë të ngushtë midis asaj që do të jetë politika optimale e kursit të këmbimit, politikës optimale të rrjedhës së kapitalit dhe politikës optimale makro-prudenciale. Vitin e kaluar, FMN-ja ofroi një prej huave më të mëdha në historinë e saj, prej 57 miliardë dollarësh ndaj Argjentinës, që sipas znj. Gopinath ka rezultuar të jetë e suksesshme si në stabilizimin e kushteve financiare dhe në kursin e këmbimit, duke përfshirë edhe fonde të posaçme për të mbrojtur popullsitë më të prekshme nga problemet e ndryshme sociale. Një pyetje e rëndësishme është edhe ajo nëse Venezuela do të ketë më nevojë për mbështetjen e FMN-së, në një skenar në të cilin udhëheqësi i saj autoritar i krahut të majtë të mos jetë më në pushtet. Znj. Gopinath u shpreh se situata alarmante në këtë vend ishte duke u vëzhguar me shumë kujdes dhe se zgjidhja do të kërkojë ndihmën e të gjithëve ne së bashku. Në një epokë të populizmit në rritje në mbarë botën, duke përfshirë edhe në SHBA-në, krye/ekonomistja tha se është veçanërisht e rëndësishme për FMN-në dhe institucionet e tjera ekonomike shumëpalëshe që të tregojnë efikasitetin e tyre. Ajo tha në fund se rezultate të vlefshme do të vihen re atëherë kur shtetet të bashkëpunojnë dhe kur të ketë një sistem të bazuar në rregulla që do të zbatohen./Monitor