Fati i azilantëve sirianë në SHBA

440
Ndërsa Kongresi amerikan shqyrton pezullimin e një programi që lejon refugjatët sirianë në vend, ata që tashmë janë këtu ose në procesin e kërkimit të azilit janë të alarmuar nga ajo që dëgjojnë: Taofik Alhallak dhe gruaja e tij Zahrich Alsouso erdhën në Shtetet e Bashkuara me vizë turistike në korrik të vitit 2012. Një gazetar i njohur televiziv në Siri, Taofik filloi të shkruaj në Facebook rreth revoltës në rritje në vendin e tij kundër qeverisë – dhe shpejt pati një vizitor të papritur nga regjimi i Assadit:
“Më tha: ‘Ose nuk do të shkruash më ose do të të vras, do të djeg shtëpinë dhe do të vras familjen.’ E pyeta në se e dinte kush isha. ‘E di që je Taofik Al Hallak, prezantuesi i famshëm. Edhe Perëndia po të jesh do të vras ty dhe familjen tënde.’”

Pas ndalesave në Tunizi dhe më pas në Egjipt, ku mori një tjetër kërcënim me vdekje, Taofik dhe gruaja e tij mbërritën në Shtetet e Bashkuara dhe aplikuan për azil politik. Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë të hapjes së dyerve për refugjatët nga mbarë bota. Pasi autoritetet thanë se një nga sulmuesit në Paris hyri në Evropë si refugjatë, kandidatët republikanë për president në Shtetet e Bashkuara filluan të bëjnë thirrje për kufizime më të rrepta mbi refugjatët sirianë. Kandidati republikan Ted Cruz:
“Unë po drejtoj luftën në Senat për të ndalur planet e presidentit Obama dhe të Hillary Clintonit për të sjell në Amerikë dhjetra mijëra refugjatë sirianë muslimanë. Përse? Pasi administrata vetë e pranon se nuk mund t’i kontrollojë këta refugjatë. ”

Kandidati kryesor republikan Donald Trump bëri thirrje për më shumë kontroll të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara: “Të dhëna, lista vëzhgimi. Unë dua përgjim, t’i përgjojmë këta njerëz që vijnë si kali i Trojës. Unë dua ta di cilët janë ata. ”

Presidenti Obama, e kundërshtoi këtë ide:
“Ata po luajnë me frikën për të marrë sa më shumë pikë politike. Ose për të avancuar fushatat e tyre. Kjo është e papërgjegjëshme. ” Por drejtuesit republikanë në Kongres – me disa vota të demokratëve miratuan një projektligj që ndalon refugjatët sirianë të hyjnë në vend. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan:
“Nëse agjencitë e rendit dhe të inteligjencës nuk mund të verifikojnë secilin person që vjen këtu se nuk është kërcënim për sigurinë, atëherë ata nuk duhet të lejohet të vijnë.”

Projektligji do të votohet në Senat brenda pak javësh. Presidenti Obama ka premtuar t’i verë veton. Megjithatë, Alhallak është i shqetësuar se retorika rreth sirianëve mund të ndikojë tek ata që janë tashmë në Shtetet e Bashkuara pasi statusi i familjes së tij është ende i paqartë. E vetmja gjë e sigurtë në jetën e tyre është se ata nuk mund të kthehen më në Siri.
Sigal