Sigal

Familja e Kostandinos Kaçifas ka mbërritur në morg për të tërhequr trupin e 35-vjeçarit, dy ditë pas vrasjes nga RENEA.

Tashmë ekspertiza mjeko-ligjore e trupit të 35-vjeçarit do të bëhet nga mjek i huaj grek. Kjo pasi, familjarët nuk i kanë besuar palës shqiptare, duke mos depozituar asnjë kërkesë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për kryerjen e ekspertizës.

E motra e Kaçifas ka folur për herë të parë për median. Ajo ka kërkuar nga shteti shqiptar që të zbardhë të vërtetën, ndërsa kërkon të mësojë më shumë për bisedat e policëve nga celularët e tyre kur ndodhi ngjarja.

“Nga kamerat, nga sateliti, nga çdo mjet që mund të mësojmë atë që duam më shumë në këtë moment familja, në këtë situatë që është, të vërtetën. Jemi në një gjendje shumë të keqe. Duam të dalë e vërteta, të mësojmë fiks çfarë ndodhi, duam të dëgjojmë bisedat e policëve nga celularët e tyre kur ndodhi gjithçka, nga kamerat”, është shprehur motra e Konstadinos Kacifas.